Ina Rama: Të shtyhet hetimi për Bashën
TIRANË- Kryeprokurorja Ina Rama, me kërkesë të prokurorit të çështjes që po heton zbardhjen e abuzimeve të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, vendosi të shtyjë edhe për një muaj afatet hetimore ndaj deputetit pa imunitet Lulëzim Basha dhe të pandehurve Armand Teliti e Andi Toma, ish-zyrtarë të Ministrisë së Transporteve në kohën e projektimit dhe tenderimit të kësaj rruge. Burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës konfirmojnë se prokurori Arben Kraja, pas marrjes së akt-ekspertimit që vlerëson dëmin e shtetit në ndërtimin e kësaj rruge, ka kërkuar edhe një muaj kohë për t’i dhënë drejtim dosjes. “Dy ekspertët kontabël, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, pas analizimit të dokumenteve të sekuestruara pranë Ministrisë së Transporteve që organi i akuzës i ka bërë pjesë të fashikullit të hetimit nxorën si përfundim se kostoja totale e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës kap shifrën një miliard e 23 milionë eurove, kosto e cila, sipas tyre, është shumë e madhe për një ndërtim të tillë”, shprehen burimet. Sipas tyre, vlerësimi i dëmit është përfunduar, por nuk bëhet e ditur nga prokuroria, pasi cilësohet si sekret hetimor. Ndërkaq hetuesit e çështjes nuk japin shumë detaje për arsyen e zgjatjes së afateve hetimore, por saktësojnë se kjo kohë mjafton për të kryer verifikimin e vendimeve të marra muajt e fundit nga Këshilli i Ministrave për të shtuar para për ndërtimin e kësaj rruge. Këto vendime do të krahasohen me koston e nxjerrë nga ekspertët kontabël. Gjithashtu, mësohet se dy ekspertët nuk janë marrë me diferencat e çmimeve dhe ofertave, por vetëm me konstatimin e vlerës, vlerë e cila ka njohur një rritje të madhe për shkak të funksionimit me nënkontraktorë. Raporti tashmë ndodhet në duart e kryeprokurores, e cila do të vendosë nëse do ta dërgojë në gjykatë deputetin pa imunitet apo do ta mbyllë hetimin, edhe pse kjo e fundit, sipas burimeve, është shumë e vështirë pasi shkeljet ligjore janë të provueshme. Ish-ministri i Transporteve akuzohet se ka shpërdoruar detyrën gjatë projektimit, tenderimit dhe deklarimit të fituesit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, konkretisht të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Dy të pandehurit e tjerë, Armand Teliti dhe Andi Toma, akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek vartësit”. Ndërkohë, vendimi për zgjatjen e afateve hetimore merret në kohën kur ndaj personit nën hetim, Lulëzim Basha, po publikohen fakte e dokumente, duke e akuzuar si të përfshirë në afera korruptive, pastrim parash dhe shpërdorim posti në bashkëpunim me boshnjakun Damir Fazlliç. Ky i fundit akuzohet nga opozita dhe shumë media në vend si bashkëpunëtor në shitjen e një firme fiktive në Shqipëri me 1 milion e 750 mijë euro, shitje kjo e konfirmuar edhe nga avokatja e firmës blerëse nga Qipro.