E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ingrid Gjoni thërritet në prokurorinë e Tiranës

Vajza e spektaklit dhe muzikës ka kaluar më shumë se një orë në zyrën e prokurorit Euklid Gjini

TIRANË- Vajza e njohur e muzikës dhe spektaklit, Ingrid Gjoni, është thërritur paraditen e djeshme në Prokurorinë e rrethit Tiranë për të dhënë dëshminë e saj në lidhje me një çështje. Ajo është parë që të ngjitet në shkallët e prokurorisë në orët e paradites. “Shekulli” është interesuar në prokurori në lidhje me këtë çështje dhe burimet zyrtare kanë pohuar se ajo është thërritur nga prokurori Euklid Gjini. Ai i ka kërkuar Ingrid Gjonit që të paraqitet në zyrën e tij. Vetë prokurori Euklid Gjini ka pohuar për “Shekullin” se ka thërritur Ingrid Gjonin në zyrën e tij. “Është e vërtetë që Ingrid Gjoni është thërritur në prokurori. Arsyeja është për një formalitet të thjeshtë. Unë nuk mund të jap detaje të tjera në lidhje me këtë çështje”,- tha prokurori. As krerët e prokurorisë nuk kanë preferuar që të japin detaje në lidhje me arsyen e thirrjes së Ingrid Gjonit. I sigurtë është fakti që Ingrid Gjoni ka qëndruar në prokurorinë e rrethit Tiranë për rreth një orë e çerek. Ajo ka qëndruar në katin e katërt të godinës së prokurorisë dhe burimet pohuan se ishte e shoqëruar nga një person tjetër. Askush nuk ka pranuar që të bëjë publike arsyet e vizitës së Ingrid Gjonit në organin e akuzës së kryeqytetit. “Shekulli” ka kontaktuar dje me familjen Gjoni, ku është përgjigjur motra Inisi. Kjo e fundit ka pohuar se Ingridi ka shkuar në prokurori për një çështje të sajën dhe jo për ndonjë hetim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›