E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, sekuestrohen 2 automjete dhe 50 kg marijuanë

Policia ka arritur të zbulojë një rrjet të trafikimit të lëndëve narkotike, por asnjë s'është prangosur

Droga e sekuestruar ishte siguruar në fshatin Lazarat dhe po transportohej drejt qytetit të Sarandës

GJIROKASTËR- "Përtej kufijve" godet një rast të trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa sekuestrohen 50 kilogramë marijuana dhe dy automjetet me të cilat transportoheshin. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se janë shpallur në kërkim autorët, për të cilët deklarohet se janë identifikuar, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit.

Operacioni
Informacionet e marra për trafikimin e një sasie lënde narkotike nga fshati Lazarat drejt Sarandës, kanë bërë të mundur organizimin e operacionit policor të koduar "Përtej kufijve", i cili ka vazhduar përgjatë gjithë natës së të premtes. Mësohet se gjithçka ka nisur rreth orës 21:30 të së enjtes, kohë në të cilën specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar kanë evidentuar dy automjetet e dyshimta që lëviznin në drejtim të Sarandës, ndërsa janë vendosur edhe kontakte me uniformat blu të komisariatit të policisë së këtij qyteti, për ngritjen e një postblloku në hyrje. Ndjekja e tyre vazhdoi deri në afërsi të qytetit të Sarandës dhe si pasojë e saj, drejtuesi i automjetit që kishte lëndën narkotike ka devijuar rrugën dhe është futur në drejtim të fshatit Çukë. Mësohet se në afërsi të Çukës transportuesi e ka braktisur automjetin, ndërsa lëndën narkotike e ka hedhur në një vend anës rrugës hyrëse dhe është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira. Ndërsa automjeti tjetër, i cili ishte bosh dhe ishte shoqërues i mjetit ku ishte lënda narkotike, ka vazhduar në drejtim të qytetit Sarandë.

Por as drejtuesi i tij nuk ka rënë në prangat e policisë, pasi ka devijuar rrugën dhe nuk ka mbërritur në postbllok. "Në bashkëpunim me forcat e Komisariatit të Policisë Sarandë u bë krehja e vendit dhe u organizuan kërkimet për kapjen e autorëve dhe mjetit tjetër, i cili u largua në drejtim të paditur. Gjatë natës është ruajtur vendi i ngjarjes dhe një automjet tip fuoristradë "Shevrolet" me targa amerikane është afruar aty. Drejtuesi i saj ka tentuar të marrë lëndën narkotike, por pasi ka konstatuar shërbimet e policisë e ka braktisur mjetin dhe është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira", bëri të ditur zëdhënësi i policisë. Ai u shpreh se në orët e para të mëngjesit, pas kontrollit të imtësishëm të territorit, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i lëndës narkotike.

Sekuestrimi
Bëhet fjalë për 50 kilogramë marijuanë, të ndara në 50 pako 1-kilogramshe, ndërkohë që janë sekuestruar edhe dy automjetet, të dy me targa të huaja" automjeti tip "Benz" me targa gjermane, i cili u braktis gjatë ndjekjes së policisë dhe automjeti tip "Shevrolet" me targa amerikane. Ndërkaq, policia deklaron se ka bërë të mundur identifikimin e autorëve të këtij trafiku, por emrat e të cilëve për arsye hetimi mbahen sekret.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›