Arrestohet në Lushnjë 38-vjeçari, akuzohet për blerje vote

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Një 38-vjeçar është arrestuar në Lushnjë, pasi dyshohet se i ka premtuar një shtetasi një shumë parash me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se M. L. i ka marrë një shtetasi kartën e identitetit dhe i ka premtuar dhënien e një shumë parash, në funksion të blerjes së votës.
Policia bëri të ditur se është sekuestruar karta e identitetit e shtetasit që i ishin premtuar paratë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme.
Lidhur me arrestimin e 38-vjeçarit ka reaguar dhe shtabi elektoral i Partisë Demokratike të Fierit. Sipas njoftimit të shtabit të PD në Fier “ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje”.
“SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin. Ne kemi besim të plotë tek SPAK për zbardhjen e këtij rasti, ku po keqpërdoret Policia e Shtetit për propagandë bajate kundër PD”, vijon njoftimi.
“Ne inkurajojmë Prokurorinë e Posaçme që të vijojë punën për goditjen e çdo krimi zgjedhor në qarkun Fier”, përfundon njoftimi i shtabit të PD në Fier.
/a.f/r.e/