E Martë, 3 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit, nis shpërndarja e fletëve të votimit për diasporën

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot shpërndarjen e fletëve të para të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në këto zgjedhje parlamentare për herë të parë diaspora do të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e votës.

Fletët e para të votimit janë dërguar për votuesit e qarqeve Dibër dhe Berat.

Çdo votues i regjistruar do të marrë një zarf që përmban fletën e votimit, një zarf të brendshëm për kthimin e votës dhe udhëzuesin për mënyrën e saktë të plotësimit të saj, me qëllim që vota të jetë e vlefshme.

Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj.

Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.

Fletët e votimit do t’u mbërrijnë bashkatdhetarëve tanë në Evropë nga data 15, deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera nga data 15, deri më 25 prill.

Pasi ta marrë zarfin me fletën e votimit, zgjedhësi nga jashtë duhet ta dërgojë atë në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes. Ata nuk do të shpenzojnë asgjë, pasi posta paguhet nga KQZ.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›