Arrestohet një 23-vjeçar, dyshohet për disa vjedhje makinash
TIRANË - Hetimet e policisë mbi disa vjedhje makinash në Tiranë kanë çuar në pranga dje një 23-vjeçar nga Tirana, si autor i dyshuar i tyre. Burime zyrtare nga policia njoftuan arrestimin e shtetasit Ndriçim Matoshi, 23 vjeç, nga Tirana, me akuzën e vjedhjes së makinave. Sipas të dhënave të administruara nga Policia e Tiranës, 23-vjeçari Matoshi dyshohet se është autor i vjedhjes së një makine tip ”Benz” furgon më 15 shkurt 2008, pranë Doganës së Tiranës. Po ashtu, i riu dyshohet se është autor edhe i vjedhjes së një automjeti më 20 nëntor 2006, në rrugën ”Bogdani” në Tiranë. Grupi hetimor mësohet se po punon për dokumentimin e veprimtarisë së paligjshme, në të cilën mendohet se është përfshirë shtetasi Ndriçim Matoshi. Ndërkohë, aktet proceduriale në ngarkim të tij i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
19 Shkurt 2008