Piloti që nuk gëzon pensionin
Bardhyl Asllani rrëfen vështirësitë që e detyruan të bëhej emigrant. 62-vjeçari tregon se kohën e kalon në lulishte me miqtë e tij
Emanuela Sako
Shpesh jemi mësuar që ish-ushtarakët t’i shohim të kërkojnë rritje pensioni, sepse nuk janë të kënaqur nga të ardhurat që qeveria ka përcaktuar për këtë kategori. Por ka disa të tjerë që përveçse kanë sakrifikuar për punën, për arsye të ndryshme, sot, gjenden në mes të katër rrugëve, pa pension dhe të rënduar nga sëmundjet. I tillë është rasti i 62- vjetarit Bardhyl Asllani, i cili gjendet pa pension dhe gjysmë i paralizuar. Siç shprehet dhe vetë, ai ndihet i harruar nga të gjithë, pasi nuk ka marrë asnjë përfitim nga puna e atyre viteve, e cila ka qenë një punë që shteti nuk mund ta linte në hije. Bardhyli ka punuar për vite me radhë si oficer aviacioni në detyra të ndryshme dhe në 1981-shin, për hipokrizi të kohës, është liruar nga detyra. Ndërsa sot emri i tij nuk figuron si përfitues pensioni, apo si ndonjë punonjës i thjeshtë që mund të marrë sadopak nga të ardhurat e një pensioni minimal. E shohim tek ecën me shkop në dorë dhe me hapa të ngadaltë për shkak të pasojave që ka lënë paraliza, por ndihet ende i fuqishëm, pasi vështirësitë e jetës dhe dhimbja e kanë bërë të ndihet më i fortë. I prekur nga surprizat e pakëndshme të jetës rrëfen se tashmë ka tre fëmijë që kujdesen për të me të ardhurat. Dhe tashmë jeta e tij është ndarë mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Pensioni
I prekur rrëfen për largimin nga puna dhe se si nuk mundi të përfitonte pension për vitet e punës. Me gjithë kërkesën e tij për të përfituar pensionin e viteve të punës, burokracitë e kohës dhe procedurat e tanishme kanë bërë që kjo të ngelet vetëm një dëshirë për përfitimin e një pensioni ushtaraku. Ai tregon se lirimi nga detyra u bë për shkaqe absurde. Askush nuk i dha një motivacion se përse duhej të largohej nga puna. Në atë kohë ndihej i flakur në rrugë, pa asnjë mundësi financiare për të përballuar jetesën. Që prej asaj dite ai ishte i detyruar të punonte në çfarëdolloj pune për të ushqyer familjen e tij, të përbërë nga 5 veta, gruan dhe tre fëmijët. Por, sipas rrëfimit të tij, ishte tepër e vështirë të zinte një vend pune, pasi kudo që futej në punë njerëzit e besuar të komunizmit ndërhynin me mënyrat e tyre për ta hequr nga puna dhe përsëri gjendej i vetëm dhe pa asnjë mundësi jetese. Për 10 vite me radhë, nga viti 1981 deri në ’91-shin, është detyruar të mbajë frymën gjallë.
Emigrimi
Fluksi i emigracionit, si shumë shqiptarë të tjerë, e çoi dhe Bardhylin në Greqi për të ndërtuar një jetë të re. Aty filloi të punonte në punë të ndryshme, ku dhe u sëmurë rëndë, pa e ditur se çfarë e mundonte. Asnjëherë nuk mundi të vizitohej në ndonjë klinikë sepse të ardhurat dhe detyrimi për të mbajtur familjen nuk e lejonte që të paguante mjekët dhe barnat e shtrenjta që duhej të blinte. Për vite me radhë punoi në Greqi, derisa në vitin 2000 sëmundja e hershme u rëndua dhe pësoi një paralizë, e cila do ta ndiqte nga pas gjatë gjithë jetës dhe nuk do ta linte pa pasoja. Tashmë sëmundja i ka prekur këmbën, krahun dhe pjesën e gojës në anën e majtë, të cilat i lëviz me vështirësi. Por që mundohet t’i komandojë me sa të mundet me shkopin e tij. Shumicën e kohës jeton në Greqi, ndërsa në Shqipëri vjen për të takuar të afërmit dhe miqtë, pasi malli për vendin e brengos së tepërmi. Ai rrëfen se do të vinte më shpesh po të kishte mundësi ekonomike. Por tashmë është pa asnjë të ardhur, pa pension dhe në varësi të fëmijëve të tij. Ndihmën ekonomike të fëmijëve kërkon ta përdorë për të blerë barna dhe për të paguar spitalet, pasi paraliza i është përsëritur disa herë. Ndërkohë që merr një kurë të vazhdueshme, e cila për të ardhurat e tij është shumë të kushtueshme. E ndërsa në kujtesën e tij është fiksuar ish-aviatori që nuk mundi të kishte një emër në Ushtrinë shqiptare dhe tani në pleqëri nuk mundi të kishte një pension për të mbajtur frymën gjallë.
19 Shkurt 2008