E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjelbërohet pjesa e dytë e rrugës “Komuna e Parisit”

Bashkia e Tiranës ka vendosur të zbatojë projektet për gjelbërimin e disa zonave të kryeqytetit. Kështu, dje ka nisur gjelbërimi i pjesës së dytë të rrugës “Komuna e Parisit”, në segmentin nga rruga “Sulejman Delvina” deri në bulevardin “Bajram Curri”. Kjo zonë e kryeqytetit është rikonstruktuar pak kohë më parë. Në të do të mbillen rreth 50 pemë gështenje dekorative, ku do të shtohen ambientet e gjelbra dhe do të përmirësohet situata mjedisore për banorët. Kjo është një nismë që bashkia e ka nismë ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe sidomos të moshuarve për të krijuar ambiente çlodhëse dhe për të shmangur disi tymin e kryeqytetit, që krijohet nga gazrat e makinave.
I pranishëm në aksionin për mbjelljen e këtyre pemëve, kryebashkiaku Edi Rama, i cili u shpreh se mbjelljet e këtij viti kanë rritur ndjeshëm përmasën e gjelbër të qytetit. “Jam besimplotë që kjo do të na japë mundësinë të bëjmë një volum edhe më të madh mbjelljesh, duke plotësuar kështu një nevojë të jashtëzakonshme nga viti në vit dhe duke shkuar drejt plotësimit të objektivit të nevojës tërësore, në një hark kohor të arsyeshëm prej disa vitesh”, - deklaroi Rama. Nisma e Bashkisë së Tiranës për rregullimin dhe gjelbërimin e territoreve dhe ambienteve të rrugëve kryesore dhe mes pallateve tashmë është bërë konkrete. Shumë rrugë kanë përfunduar rikonstruksionin, gjelbërimin dhe dekorimin me pemë të shumta. Bashkia kërkon që kjo praktikë të vazhdojë në të gjitha periferitë e Tiranës, por të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›