Kryeqytetasit vendosin për projektbuxhetin e 2008-s
Projektbuxheti i Tiranës për 2008-n është një vendimmarrjeje e përbashkët me komunitetin, për nevojat më emergjente që ka çdo zonë. Pasi është diskutuar me qytetarët, tashmë, më 22 shkurt, ky projektbuxhet do t’i paraqitet për shqyrtim përfaqësuesve të kryeqytetasve në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Me t’u miratuar, buxheti do t’u paraqitet qytetarëve të Tiranës në mënyrën më të detajuar në ditët në vijim. Bashkia e Tiranës shpeshherë u ka bërë ftesë qytetarëve për të bërë shpërndarjen e projektbuxhetit në takime të vazhdueshme me qytetarët në njësi bashkiake të ndryshme. Burime pranë Bashkisë shprehen se qytetarët kanë gjykuar fillimisht gjendjen e komunitetit të tyre e kanë ngritur probleme e shqetësime konkrete për qeverinë vendore. Më pas janë përfshirë drejtpërdrejt në procesin e hartimit të buxhetit të qytetit të Tiranës 2008, duke diskutuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës e me të gjithë drejtuesit e Bashkisë. Ndërkohë që kanë hartuar një listë me kërkesat e tyre më të domosdoshme. Financimet këtë vit janë më të shumta se vitin e kaluar, por nuk arrijnë të mbulojnë disproporcionin mes nevojave e kërkesave në rritje të kryeqytetasve dhe mundësive të kufizuara të qeverisjes vendore për t’i përballuar këto nevoja e kërkesa.
19 Shkurt 2008