E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet një nga dy shqiptarët e arratisur nga burgu i Parmës

ITALI– Pasditen e 14 gushtit policia italiane ka arrestuar 35-vjeçarin Valentin Frrokaj, një nga dy shqiptarët e arratisur më 2 shkurt të këtij viti nga burgu i Parmës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Ansa”, sipas së cilës Frrokaj është kapur në Cassano d’Adda, provinca e Milanos, nga karabininerët e zonës.

Deri në shkurt, 35-vjeçari po shlyente dënimin e përjetshëm për një vrasje në Brescia, në vitin 2007. Frrokaj u arratis bashkë me 29 vjeçin Taulant Toma (akoma në kërkim), në burg për grabitje. Toma ishte arratisur edhe njëherë tjetër në vitin 2007 nga burgu i Ternit.

Pak ditë pas arratisjes nga burgu, forcat e rendit i kishin pikasur dy të kërkuarit në periferi të Milanos, në një makinë të vjedhur në Piacenza, por atëherë Toma e Frrokaj kishin arritur t’i shpëtonin policisë.

Për arratisjen e dy shqiptarëve, Prokuroria e Parmës po heton mbi nëndrejtorin e burgut, komandantin e asokohe të repartit të policisë së burgjeve dhe mbi tetë agjentë. Ata akuzohen, kush më shumë e kush më pak, për moskryerje të detyrës dhe lejim të arratisjes.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›