E Diel, 1 Nëntor 2026

Thirrjet antishqiptare në Himarë, ndalohet në Sarandë një eksponent i 'Agimit të Artë'

SARANDE - Ndalohet në pikën kufitare të Qafë Botës një nga eksponentët e ‘Agimit të Artë’, që lëshuan thirrje antishqiptare në Himarë, gjatë ceremonisë përkujtimore në 3-vjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës.

Mësohet se Robert Hajdhi është shoqëruar në policinë e Sarandës, pasi rezulton të ketë qenë i pranishëm gjatë momentit kur në varrin e Aristotel Gumës u lexua deklarata e “Agimit të Artë” që u zotua të “çlirojë” Himarën.

DEKLARATA E AGIMIT TE ARTE NE HIMARE
Në 3-vjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës, në varrin e tij përfaqësuesi i “Agimit të Artë” përshëndeti në emër të kryetarit të partisë neonaziste greke, Nikos Mihaloliakos dhe deputetit Kristos Papas, që qeveria shqiptare e ka shpallur “person non grata”, por që siç tha ai, me shpirt ndodhet në Himarë.

Sipas përfaqësuesit të neonazistëve grekë, Aristoteli u sakrifikua për idealin e lirisë dhe gjuhës. Sakrifica tragjike tregoi se ai me të drejtë ai quhet grek kurse vrasësit e tij, quhen “tiranë”.

Ai vazhdoi duke thënë se “Është e shkruar që gratë e Himarës të lindin heronj dhe që kjo tokë të pranojë në gjirin e vet trima. Si njerëz na vjen shume keq për humbjen e një djali të ri, ndërsa si grekë mbajmë thellë në zemër kujtimin e tij. Keqbërësit që i morën jetën, nuk do munden të dëmtojnë emrin e tij që do mbetet i pavdekshëm. Ai humbi jetën e tij për të fituar lavdinë e përjetshme”.

Në përfundim përfaqësuesi i partisë së ekstremit të djathtë grek deklaroi: “Agimi i artë nuk erdhi në Himarë për të mbajtur zi, por përulet para varrit të këtij trimi dhe betohet se do të vazhdojë luftën deri në ditën e çlirimit. Rroftë kombi!”

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera ‘Reago’ protestë kundër "Agimit të Artë": Thirrjet patetike nuk duhen marrë seriozisht

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›