Osmanaj: Mandatin e anëtarëve të KQZ-së e cakton kodi
“Komisioni i organizuar sipas frymës së ligjit”
Anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, kërkon respektimin e pavarësisë institucionale dhe të Kodit Zgjedhor nga të gjithë ata që flasin për një riformatim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, edhe një ndryshim në formulën e përbërjes së këtij institucioni do të sillte ndryshimin e të gjithë ligjit zgjedhor. Kur mbaron mandati i tij, e përcakton ligji.
Zërave që vijnë nga e majta për një riformatim të KQZ-së, anëtari i këtij institucioni, Hysen Osmanaj, u përgjigjet duke cituar pavarësinë institucionale dhe respektimin e Kodit Zgjedhor.
Osmanaj hedh poshtë akuzat e socialistëve që e quajnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një zgjatim të Partisë Demokratike. Sipas tij, KQZ ndonëse me 4 anëtarë organizoi një nga zgjedhjet më të mira të demokracisë shqiptare dhe është I sigurt se këtë do t’ia njohin edhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
Atyre që kërkojnë një ndryshim të formulës së përbërjes së Komisionit, Hysen Osmanaj u kujton kjo do të kërkonte një ndryshim të të gjithë frymës së ligjit zgjedhor.
Për Osmanaj KQZ është e organizuar sipas frymës së Kodit dhe mbetet vetëm të plotësohet me anëtarët që mungojnë. Ndryshimet e formulës përzgjedhëse, nuk mendon se do të jenë të shpejta.