E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet një person për keqpërdorim me barna

Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin për korrupsion. Bëhet fjalë për zyrtarin N.S. i cili dyshohet për korrupsion me produkte medicinale. Vlera e keqpërdorimit që dyshohet arrin deri në 40 mijë euro.

“Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në këtë rast njësiti për hetimin e krimeve ekonomike në Prishtinë, ka bërë arrestimin e një personi të dyshuar nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Kontrabandim me mallra dhe rrezikim i përgjithshëm ”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas njoftimit, hetuesit policor të këtij njësiti me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, pas hetimeve disa mujore, sot rreth orës 10:00 kanë bërë bastisjen e një shtëpie në periferi të Prishtinës, me ç’ rast kanë gjetur produkte medicinale (barna) të llojeve të ndryshme që dyshohet të jenë të kontrabanduara.

“Barnat e gjetura të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara dhe tashmë të konfiskuara kanë qenë të vendosura në një shtëpi banimi dhe pa kushte adekuate për mbajtje. Vlera e dyshuar e mallrave të kontrabanduar dyshohet se arrin shumën prej rreth 40.000 Eurove. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë ftuar Inspektoret e Agjensionit Kosovar për Produkte Medicinale dhe Doganat e Kosovës të cilët e kanë konfiskuar mallin e dyshuar si të kontrabanduar”, thuhet më tej.

Personi i dyshuar N. S. lindur më 1963 nuk ishte i licencuar si operator ekonomik, i njëjti është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit kujdestar është dërguar në qendrën e paraburgimit për të vazhduar me proceduar të mëtutjeshme hetimore./Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›