Rrahja e të riut shqiptar, MPB identifikon 2 nga 7 të dyshuarit

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka zbardhur rastin e rrahjes së 18-vjeçarit Jusuf Islami, në lagjen Aerodrom të Shkupit.
I riu shqiptar ishte rrahur barbarisht të premten e shkuar nga një grup prej 7 personash, të cilët Policia është në rrugë të mirë t’i identifikojë që të gjithë.
Sipas njoftimit të MPB-së, ka qenë një i mitur, 14 vjeç, me inicialet B.L, i cili kishte pyetur të riun nga Çairi, se ç’përkatësi etnike ka dhe se nga ç’lagje e Shkupit vjen, shkruan Zhurnal.
I mituri ishte larguar pasi kishte marrë përgjigjet e shqiptarit, dhe kishte telefonuar 16-vjeçarin A.M, dhe sëbashku me 5 persona të tjerë, ishin nisur për tek vendi ku ndodhej i riu shqiptar, në shoqërinë e një shoku dhe të tre vajzave nga lagjja Aerodrom.
Pasi grupi ishte pikasur të vinin në drejtim të vendndodhjes së tyre, tri vajzat ishin larguar me të shpejtë, ndërsa shqiptari dhe shoku i tij, kishin mbetur të përballen me dhunuesit maqedonas.
Ata kishin filluar të ushtronin dhunë mbi dy të rinjtë, por kishin liruar pas pak shoqëruesin e shqiptarit, dhe më pas kishin rrahur vetëm këtë të fundit.
Policia po punon në zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në rrahjen barbare të të riut nga Çairi./Indeksonline/