Arrestohet për ekstradim 50-vjeçari i dënuar në Itali për trafik droge

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit finalizoi një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “FAST”, duke lokalizuar dhe ndaluar në Durrës, me qëllim ekstradimi, një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Në kuadër të operacioneve për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin, identifikimin dhe ndalimin e shtetasit Gentian Lika, 50 vjeç, lindur në Kavajë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës, Itali, me vendim të muajit mars 2025, e ka dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, sipas parashikimeve të Kodit Penal italian.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.
/gj.m/j.p/