Arrestohet për përdhunim një anëtar i bandës së Lul Berishës
Një tjetër anëtar i bandës së Lul Berishës ka rënë në pranga, por jo për krime që kanë lidhje me bandën, por për torturimin dhe dhunimin e vazhdueshëm seksual të një vajze. Brutaliteti dhe dhuna e çdo forme ka rënë mbi një vajzë 22-vjeçare nga Durrësi, studente e Fakultetit Ekonomik. Edmond Taullaj, i arrestuari është vëllai i Indrit Taullajt, dorës së fortë të bandës së Durrësit dhe i konsideruar si krahu i djathtë i Lul Berishës dhe i dyshuar për disa prej ekzekutimeve më të rëndësishme të bandës gjatë viteve të fundit. Arrestimi është bërë pasditen e së mërkurës nga forcat e policisë së Durrësit, atëherë kur autori i ngjarjes së rëndë nuk e priste, pasi kishin kaluar disa ditë nga kryerja e aktit të rëndë. Torturat ndaj shtetases E.Rr. janë bërë brenda 24 orëshit që bashkon datat 19 dhe 20 dhjetor. Vajza ka arritur të bëjë denoncimin vetëm pasi ka mundur ta marrë disi veten nga plagët dhe tronditja e fortë që i ka shkaktuar 23- vjeçari. Studentja e Ekonomikut dhe Edmond Taullaj ishin njohur para një muaji dhe kanë nisur të frekuentojnë njëri-tjetrin. I arrestuari e ka ftuar të kalojnë bashkë disa ditë në një shtëpi të tijën në plazhin e Durrësit dhe më pas e ka dërguar studenten edhe në shtëpinë e tij në Spitallë. Në 24-orëshin që shtrihet mes 19-20 dhjetorit Edmond Taullaj e ka kthyer vajzën në një skllave seksi, duke përdorur mbi të çdolloj torture në mënyrë të vazhdueshme dhe më pas e ka lënë të lirë, në një gjendje tepër të dëshpëruar e të rëndë shëndetësore. Vajza është shtruar në spital ku ka marrë mjekime për të kuruar plagët e marra dhe u është nënshtruar gjatë këtyre ditëve trajtimeve me serum për të qëndruar në jetë. Burime spitalore bëjnë të ditur se ajo vazhdon të trajtohet me mjekime dhe serume, ndonëse e ka kapërcyer fazën e rrezikut. Pas denoncimit të vajzës në polici, agjentët e antikrimit dhe shërbimet e policisë janë angazhuar menjëherë duke bërë arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë. Torturat ndaj studentes janë ushtruar në të dyja banesat e të arrestuarit. Ndaj 23-vjeçarit rëndojnë akuzat e konsumimit të dy veprave penale, asaj të torturës ndaj një qenieje njerëzore dhe të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura. Taullaj ka qenë i dënuar më parë për përkrahje të autorit të një krimi dhe njihet si kontingjent krimi nga policia e Durrësit, pjesëtar i grupit kriminal të Spitallës. Edmondi, atëherë 22 vjeç, u ndalua së bashku me tre anëtarë të tjerë të bandës së Spitallës, më 29 korrik të vitit 2007 në Durrës, si bashkëpunëtor i të vëllait, Indrit, në vrasjen e Çim Saliut, vëllait të Klodian Saliut. Një javë pas vrasjes së vëllait të kapobandës Klodian Saliu, në kuadër të operacionit "Spitalla 2", policia ndaloi katër të dyshuar si bashkëpunëtorë të të dyshuarit si autor të vrasjes, Indrit Taullaj. U ndaluan Edmond Taullaj, 22 vjeç, Ervis Cërriku, 20 vjeç, Ervin Çuke dhe Gramoz Ago. Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestua dhe Indrit Taullaj në një apartament prapa Cirkut të Tiranës nga forcat RENEA, të cilat kishin marrë urdhrin ta kapnin me çdo kusht, gjallë a vdekur. Ai u gjet në apartament bashkë me dy vajza, njëra prej të cilave ishte ajo me të cilin u gjet Lul Berisha në momentin e kapjes në Maqedoni.
Pas një dënimi për përkrahje në krim, vëllai i Indrit Taullajt që po gjykohet në Tiranë, do të përballet me të tjera akuza, më të rënda.
Pas një dënimi për përkrahje në krim, vëllai i Indrit Taullajt që po gjykohet në Tiranë, do të përballet me të tjera akuza, më të rënda.