E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy thika në këmbë i rrezikojnë jetën adoleshentit

Një 16-vjeçar është plagosur me thikë në nga një bashkëmoshatar i tij, ndërsa ishte në një festë me shokët e klasës. Shkak mësohet të jetë bërë një sherr mes të rinjve. Ndërsa i plagosuri ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve, policia ka ndaluar autorin e plagosjes, i cili është gjithashtu i mitur. Burimet zyrtare të spitalit dhe të Komisariatit të Policisë Fier bëjnë të ditur për gazetën se ngjarja ka ndodhur pasditen e së martës në fshatin Marinëz të Komunës Kuman në rrethin e Fierit. Klodian R., 16 vjeç ka debatuar me një bashkëmoshatar, i cili quhet Arben N. Debati i nisur në festën që zhvillohej në një lokal të fshatit Marinëz ka vijuar edhe në mbrëmje, kur dy të rinjtë ishin duke pirë kafe me shokët e përbashkët. Sipas burimeve policore, 16-vjeçari Klodian R. ka dashur të sqarohet për zënkën e paradites, por sherri është ndezur përsëri dhe kësaj radhe janë përdorur edhe armët e ftohta. Klodiani ka marrë dy plagë thike në këmbë nga kundërshtari, i cili është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Mjekët e spitalit të Fierit, të cilët i dhanë ndihmën e parë të plagosurit, thanë se plagët në këmbë i rrezikojnë jetën adoleshentit. Ndërkohë, policia ka ndaluar autorin Arben N. dhe po heton për të gjetur edhe motivin e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›