Bllokohen 71 kg marijuanë, shpëtojnë trafikantët
Tre trafikantë droge i kanë shpëtuar policisë, ndërsa ka lënë pas çantat me marijuanë që tentonin t‘i kalonin për në Greqi. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës njoftuan dje për sekuestrimin e një sasie prej 71 kilogramësh lënde narkotike në afërsi të kufirit grek, ndërsa personat që e transportonin atë kanë arritur të largohen në drejtim të paditur. Efektivët e policisë në Leskovik kanë konstatuar se rreth orës 00.30 të mëngjesit të djeshëm, tre persona ishin duke transportuar në krahë disa çanta, në kodrat mbi aksin rrugor, në vendin e quajtur Ura e Kokës, pranë vijës së kufirit të gjelbër me Greqinë. Policia u ka bërë thirrje këtyre personave të ndalojnë, por ata kanë lëshuar menjëherë çantat në tokë dhe janë larguar me vrap. Sipas njoftimit, terreni i vështirë dhe errësira ka favorizuar largimin e këtyre personave, ndërsa policia ka sekuestruar menjëherë tri çanta, brenda të cilave ndodheshin rreth 71 kilogramë marijuanë.