Arrestohet për ryshfet prokurori
Tiranë - Një prokuror është akuzuar nga kolegët e tij pas ryshfetit që dyshohet se i kishte marrë një të pandehuri për t’i ulur dënimin në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Operacioni i koduar “Ndërmjetësimi” ka çuar në arrest shtëpie Aleksandër Plepin, 35 vjeç, prokuror në Prokurorinë e Tiranës, si edhe dy shtetas nga Vlora, Arben Velikon e Panajot Dhiamandin. Gjatë përgjimeve të prokurorisë doli se dy vlonjatet, me anë të prokurorit Plepi, ndërmjetësonin për uljen e dënimit të Besnik Brrakës, i cili gjykohet për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe trafik armësh, nga pesë gjyqtarë të Krimeve të Rënda. “Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi kanë ndërmjetësuar ndaj prokurorit Plepi për të ulur dënimin e të pandehurit Besnik Braka”, - ka deklaruar zëdhënësi i Policisë, Klodian Branko. Braka është i njohur si një personazh i botës së krimit dhe kërkonte ulje dënimi të dy apo tre viteve burg kundrejt një shifre prej 50 milionë lekësh.
12 Shkurt 2009