Pranga Arian Aliços, të fundmit të bandës së Lushnjës
Tiranë – Arrestohet anëtari i fundit i bandës së Lushnjës. Operacioni ishte pjesë e operacionit “Laguna” për arrestimin e anëtarëve të kësaj bande. 46-vjeçari akuzohet për “pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “vjedhje”. Operacioni i koduar “I fundit” vuri në pranga të dyshuarin si anëtar të bandës së Lushnjës. Arian Aliço, 46 vjeç, lindur e banues në Lushnjë, u arrestua nga Drejtoria kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kërkimi
Policia tha se arrestimi i Aliços u bë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda, më 21 prill 2006, kishte nxjerrë ndaj tij masën e sigurimit “Arrest me burg”, për veprat penale “pjesëmarrje në organizatë kriminale”, “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”, “vjedhje me dhunë” dhe “dhunim i varreve”, të parashikuara nga Nenet 118, 139, 333 dhe 334 të Kodit Penal. Sipas zëdhënësit të policisë së shtetit, Klodian Branko, operacioni i koduar “I fundit” ishte pjesë e operacionit “Laguna” për arrestimin e anëtarëve të bandës kriminale të Lushnjës.
Procesi
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është duke u zhvilluar procesi penal ndaj të pandehurve Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arian Aliçko, Jorgo Muzaka dhe Rexhep Gina, proces që ka nisur afro dy vite më parë. Mbi supet e të pandehurve rëndojnë akuza të rënda, të kryera në kuadër të bandës famëkeqe të Lushnjës, të drejtuar nga Alfred Shkurti ose i njohur ndryshe si Aldo Bare. Ky i fundit ndodhet i arrestuar në Turqi që më 2006-n dhe nuk është ekstraduar ende në Shqipëri. Megjithëse edhe pse Aldo Bare ka paraqitur kërkesën e tij për t’u pajisur me statusin e azilantit politik, Drejtësia turke e ka refuzuar atë. Në dosjen e dorëzuar në Gjykatën e Ankarasë, pak javë pas arrestimit, avokatët mbrojtës të Aldo Bares argumentonin se klienti i tyre rrezikohej po të kthehej në Shqipëri dhe se procesi ndaj tij ishte politik. Për të vërtetuar këtë fakt, mbrojtja i paraqiste gjykatës me dhjetëra deklarata të bëra nga politikanët shqiptarë, të cilët hidhnin akuza të shumta në drejtim të Bares. Pasi e morën në shqyrtim kërkesën e të shumëkërkuarit për pajisjen me statusin e azilantit, të gjitha shkallët e gjyqësorit në Turqi vendosën ta refuzojnë atë. Në këtë mënyrë është hapur rruga e ekstradimit të Bares në Shqipëri. I vetmi problem është se në garë për të ekstraduar Aldo Baren është dhe Italia. Gjithsesi, fjala e fundit i mbetet Drejtësisë.
12 Shkurt 2009