E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, fushatë kundër vjedhësve të banesave dhe lokaleve



Tiranë - Policia ka ndërmarrë një fushatë për vënien në pranga të vjedhësve në kryeqytet. Burime zyrtare nga uniformat blu të Tiranës thanë për gazetën se gjatë mbrëmjes së djeshme janë vënë në pranga 5 të rinj, ndërsa katër të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë për shkak të moshës dhe mospasjes së provave. Të njëjtat burime saktësuan se efektivët e Seksionit kundër Vjedhjeve të Biznesit në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë së Tiranës, pas një pune të mirëfilltë profesionale operative-hetimore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Sharra”, që mundësoi goditjen në kohë të një grupi të dyshuar kriminal me tendencë vjedhjet e biznesit, duke ndaluar: L. Xh, 17 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje; E. H, 15 vjeç; Klaus Sula, 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje; K. Ç, 17 vjeç. Ndërsa do të hetojë në lirë Bledar Hushin, 23 vjeç. Ata dyshohen të kenë realizuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin vjedhjet e gjashtë dyqaneve në Tiranë, ngjarje të ndodhura në muajin nëntor 2008 dhe janar- shkurt 2009. Po kështu, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të vjedhjes së një banese, më 2 shkurt 2009, në rrugën “Ali Demi”. Sipas policisë, autorë të dyshuar janë 14-vjeçarët: S. M., E. P. dhe F. S., lindur dhe banues në Tiranë. Ata do të hetohen në gjendje të lirë për shkak të moshës së tyre për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”. Në bazë të lëshimit të urdhrit të ndalimit nga Prokuroria e Tiranës është kryer dje ndalimi i Endrit Avdisë, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Ndalimi i tij u krye pasi dyshohet së është autor i vjedhjes së banesës në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, Kombinat, më 6 shkurt 2009.

Zbulohet servisi i çmontimit të makinave të vjedhura, arrestohen tre persona

Tiranë - Policia e Tiranës ka zbuluar një grup të dyshuar për vjedhje makinash që më pas çmontoheshin në një servis. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për gazetën se janë gjetur 31 makina të llojit “Benz”, që janë marrë për verifikime.
Në një komunikim me mediat, Arben Nasufi, shef i Seksionit të Kontrollit të Territorit dhe Patrullës së Përgjithshme në Tiranë, deklaroi: “Duke vlerësuar si përparësi rritjen në maksimum të sigurisë publike dhe goditjen e individëve e grupeve kriminale që kryejnë krime kundër personit dhe pasurisë, gjatë këtij viti ka intensifikuar punën e saj. Brenda këtij muaji, janë evidentuar dhe goditur mbi 100 autorë dhe 4 grupe kriminale, të cilët kanë kryer vepra penale kundër pasurisë, si vjedhje, vjedhje banese, vjedhje makine, vjedhje me armë etj”. Sipas tij, dje në mbrëmje Seksioni kundër Vjedhjes së Automjeteve realizoi operacionin e koduar “Anteo”, duke vendosur në pranga: Bukat Ymerin, 42 vjeç, lindur dhe banues në Kurbin; Arian Zefin, 20 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Laç; Urim Jellën, 27 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye pasi këta shtetas u kapën në flagrancë duke tentuar të vjedhin automjetin tip “Benz”, në rrugën “Mine Peza”. Këta persona dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur dhe automjetin tip “Benz” 240 në shkurt të vitit 2009, në rrugën “Ali Demi” Tiranë. Policia tha se nga puna operative dhe procedurale është bërë e mundur gjetja e mjetit “Benz 240”, në Fushë Milot, në servisin e Bukat Ymerit. Pas kontrollit të ushtruar në këtë servis u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale për verifikime të mëtejshme 31 mjete të markës “Benz”, pa dokumente përkatëse, të cilëve u kishin ndryshuar numrat e shasisë. Ndërkohë, nga strukturat e hetimit të krimit vazhdon dokumentimi i aktivitetit kriminal, si dhe i lidhjeve shoqërore të tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vjedhjes”.

Qeveria mbyll akademinë “Arben Zylyftari”

Tiranë - Qeveria vendosi dje mbylljen e akademisë së policisë “Arben Zylyftari” dhe riorganizimin e arsimimit policor si pjesë përbërëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Sipas këtij vendimi, arsimimi policor do të riorganizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në përputhje me Ligjin Nr. 9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”. Kjo akademi tani e tutje nuk do të funksionojë më si arsim i lartë për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e uniformave blu.

Uniformë e re për punonjësit e Gardës

Tiranë - Këshilli i Ministrave vendosi dje uniformë dhe shenja dalluese të reja për të gjithë punonjësit e Gardës së Republikës. Sipas këtij vendimi, uniformat për efektivat e Gardës së Republikës së Shqipërisë do të jenë: Uniforma e oficerit dhe e nënoficerit; Uniforma për shërbim e stërvitje; Uniforma ceremoniale; Uniforma e truprojës së nderit; Uniforma civile. Ministri i Brendshëm do të miratojë: Rregulloren e uniformës së Gardës. Normën e materialeve të veshmbathjes në përbërje dhe në inventar të strukturave të Gardës. Normën e furnizimit me veshmbathje për efektivat e Gardës. Normën e furnizimit me veshje civile ose konvertimin e saj në vlerë (në lekë). Normën e materialeve të konsumit dhe të mirëmbajtjes. Normën e veshmbathjes së posaçme të shërbimit civil, sipas profesioneve. Normën e pajisjeve për qentë, në organikën e Gardës.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›