Përvjetori i pavarësisë në Kosovë, serbët planifikojnë dhunë
Blerina Olldashi
Dita e përvjetorit të parë të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt pritet të jetë e tensionuar. Serbët po përgatiten për akte të dhunshme, ndërsa mbi 2 mijë protestues i kanë bërë një kërkesë Parlamentit të Serbisë që më 17 shkurt të mbajë një seancë parlamentare në veri të Mitrovicës, ndërsa qytetarëve serbë u është bërë thirrje të djegin sërish pikat doganore në kufirin Kosovë-Serbi. Këshilli nacional serb, si dhe të ashtuquajturat komuna serbe të veriut të Kosovës, kanë kundërshtuar vendosjen e pikave doganore 1 dhe 31, krijimin e FSK-së dhe vendosjen e EULEX-it në këtë zonë. Kryetari i Këshillit Nacional, Milan Ivanoviç, u ka bërë thirrje serbëve që në ditën e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës të djegin prapë dy pikat doganore në veriun e Kosovës. Ndërkohë, nga autoritetet serbe përgjatë këtij viti kanë vazhduar përpjekjet për të penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet e tjera. Vetëm disa ditë para 17 shkurtit, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, e ka konsideruar sukses të qeverisë serbe që Kosova është njohur vetëm nga 54 shtete nga 192 që janë gjithsej. Po ashtu, Jeremiç si “sukses” të tij ka vënë në dukje marrëveshjen me Kombet e Bashkuara për gjashtë pikat me të cilat, siç thuhet, “rregullohet prezenca ndërkombëtare në Kosovë”. Ministri serb ka theksuar marrjen e mbështetjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për nismën serbe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ndërkohë, ambasadori serb në Podgoricë, Zoran Lutovac, bëri të ditur se Serbia po ushtron presion mbi Malin e Zi që të mos vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Diplomati serb ka deklaruar se vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Podgoricës dhe Prishtinës do ta konsideronte cenim të interesave të Serbisë. Megjithatë, ai tha se autoritetet malazeze do të ishin të mirëseardhur në Serbi. Lutovac ka theksuar se ky akt, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve, nuk mund të shkojnë paralelisht me vendosjen e paralajmëruar të marrëdhënieve diplomatike të Podgoricës dhe Prishtinës. “Një akt i tillë do të ishte vetëm vazhdim dhe konfirmim i asaj politike me të cilën Serbia nuk pajtohet pasi cenon seriozisht interesat e saj”, - tha Lutovac, duke mos iu përgjigjur pyetjes se cili do të ishte reagimi i Beogradit nëse Prishtina dhe Mali i Zi do të vendosnin marrëdhënie diplomatike.
Athina dhe Shkupi, bisedime për emrin në Nju-Jork
Me shpresën për të arritur në një përfundim janë zhvilluar dje negociata mes Greqisë dhe Maqedonisë në Nju Jork për çështjen e emrit. Negociatori i ri maqedonas, ambasadori Zoran Jolevski, bisedoi me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara, Metju Nimiç, si dhe me përfaqësuesin e Greqisë, Adamantios Vasilakis. Negociatori maqedonas Jolevski para takimit është konsultuar me kryeministrin Nikolla Gruevski ndërsa me presidentin Branko Cërvenkovski foli nëpërmjet telefonit. Jolevski i përsëriti Nimiçit pozicionet e njohura të Maqedonisë, e cila nuk pranon një emër për përdorim universal. Diplomatët e konsideruan këtë takim më shumë teknik dhe një mënyrë për të rënë dakord se si do të vazhdojnë bisedimet më tej.
12 Shkurt 2009