E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet për shpërdorim detyre drejtoresha e Tatimeve në Fier

TIRANË - Katër shtetas, mes tyre edhe drejtoresha e Tatim-Taksave në Fier janë ndaluar nga policia nën akuzën e vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës. Drejtoresha ,Nevila Bami kishte pak ditë që kishte marrë këtë post, por më parë ajo ka qenë inspektore e Tatimeve në Fier kohë kur është kryer edhe investigimi nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik që çoi në prangosjen e saj. Po kështu Bami ka qenë kandidate për deputete e PD-së në qarkun e Fierit.


Me anë të një njoftimi zyrtar, policia njoftoi sot për arrestimin e drejtoreshës së Tatimeve dhe tre ekonomistëve të tjerë, me akuzën e falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës por nuk tha detaje për lidhjet mes tyre dhe shkeljet konkrete që kanë bërë.


"Drejtoria e Policisë së Tiranës në kuadër të operacionit 'Fshehja' ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, në ngarkim të 4 shtetasve, të dyshuar për 'falsifikim të vulave'dhe 'vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën', kryer në bashkëpunim", thuhet në njoftim.


Të arrestuarit janë: Nevila Bami, 34 - vjeç, lindur dhe banues në Lushnje, me profesion Ekonomiste. Shkëlqim Sako, 56 - vjeç, banues në Tiranë me profesion Ekonomist. Ajeta Shkëmbi, 43 - vjeç, banuese në Tiranë, me profesion Ekonomiste.
Marjana Aleko Palla, 40 - vjeç, banuese në Tiranë, me profesion Ekonomiste.


Sipas policisë, ndalimi i tyre u bë pas një kontrolli të ushtruar në banesat e tyre , ku u gjendën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi kompjuterash, si dhe një serë dokumentesh financiare. Ndaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sigurisë 'Arrest shtëpie' dhe 'ndalim të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive profesionale' për të katërt shtetasit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›