Arrestohet personi që terrorizoi Sukthin me granatë dhe plagosi një person

Durrës, 18 gusht, NOA Policia ka bërë të mundur pas tre ditësh arrestimin e personit që tentoi të bënte grabitjen e një pike këmbimi valutor dhe pasi nuk arriti qëllimin e tij, terrorizoi banorët me granatë dhe plagosi një shoferin e një taksie në përpjekje ër tu larguar nga ngjarja.
Autori është Eduard Hasani, 23 vjeç lindur Dibër dhe banues në lagjen pesë në Sukth, njofton Policia e Durrësit. Hasa është arrestuar mbrëmjen e djeshme në momentin që ka qenë duke hyrë në shtëpinë e tij.
Vonesa në identifikimin e Hasës pas ngjarjes, sipas policisë ka ardhur pasi ai ka qenë i maskuar në momentin që kryer grabitjen.
Ndërsa në përpjekje për tu larguar, Hasa ka tentuar të vjedhë një taksi që ishte parkuar në anë të rrugës. Pas reagimit të shoferit të saj ai e ka plagosur atë.
Sipas policisë Hasa është person me precedent penal. Ai ka qenë më parë i akuzuar për mbajtje lëndësh eksplozive dhe armëmbajtje pa leje dhe vetëm prej pak ditës është kthyer nga Greqia.
Hasa, dy ditë më parë tentuar të vjedhë duke vënë në përdorim një armë zjarri një lokal Exchange-i Money Gram, pronë e 55 vjeçarit me iniciale H. Salillari, banues në lagjen Perimore në fshatin Sukth të Durrësit.
Pasi qëlloi me armë në ambientin e lokalit, ka dalë jashtë dhe ka tentuar të largohet me një taksi Benz 240, me targë DR5163D, por ka hasur në rezistencën e pronarit të automjetit, 50 vjeçarit Mehmet Meta, banues në fshatin Sukth i Ri në Durrës, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia deklaron se në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar; një armë zjarri automatik model-56, dy krehra automatiku, 14 gëzhoja si dhe një pjesë e rrobave që mbante veshur për kamuflim autori i dyshuar i kësaj ngjarje ne momentin e kryerjes së krimit.
NOA