Arrestohet punonjësi i pilotinës, transportoi cigare kontrabandë
VLORË
VLORË - Pas kapjes së një sasie të konsiderueshme kontrabandë në orët e mbrëmjes së të dielës, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Edmond Ilia, 54 vjeç, banues në lagjen "Pavarësia" të Vlorës. Shtetasi në fjalë është punonjës në pilotinën "Shqiponja" të portit të Vlorës.
Sipas deklaratës zyrtare të policisë, arrestimi i 54-vjeçarit është bërë pasi gjatë një kontrolli në pilotinën e tij nga punonjësit e policisë kufitare të portit të Vlorës, u gjet një sasi e konsiderueshme cigaresh.
Kjo sasi ishte vendosur në dy qeska të zeza plasmasi ku brenda u gjetën dy koli kartoni me mbishkrimin "Marlboro", ku kishte gjithsej 1 mijë copë paketa të llojit "Marlboro", pa pullën fiskale të Ministrisë së Financave. Nga ana e policisë janë kryer të gjitha veprimet e para hetimore, ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy koli me 1 mijë paketa.
Ilia akuzohet për "kontrabandë me mallra akcize". Vënia në pranga në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për 54-vjeçarin u bë pasi policia e Vlorës pasditen e djeshme, në bashkëpunim edhe me forcat e kufirit, ka sekuestruar një sasi cigaresh kontrabandë, e cila dilte nga një nga tragetet e linjës Vlorë-Brindisi.
Pasi trageti ka zbarkuar të gjithë pasagjerët dhe është pozicionuar në rad, në pritje të nisjes një ditë më pas, ka dalë prej tij një sasi prej një mijë cigaresh kontrabandë, në total dy koli cigaresh të markës "Marlboro" e bardhë. Shkarkesa është ndihmuar nga pilotina "Shqiponja", e cila është një prej pilotinave që përdoret në portin e Vlorës në ndihmë të ankorimit të anijeve e trageteve.
Ajo i është afruar tragetit të linjës Vlorë-Brindisi dhe prej andej ka marrë kolitë e cigareve. Pasi pilotina është ankoruar në kalatën 1 të portit të Vlorës, efektivët kanë kërkuar kontroll të saj.
Pas kontrollit, blutë kanë gjetur në brendësi sasitë e cigareve kontrabandë, të cilat i kanë sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Sipas informacioneve që u janë dhënë bluve, ky transport dyshohet të jetë kryer edhe më parë, ndërsa ende nuk ka konfirmim zyrtar për këtë apo personat e përfshirë në këtë transport