Liqeni i Shkodrës "mbytet" nga plehrat
SEZONI VEROR/ Në plazhet e Shirokës e të Zogajt shihen grumbuj mbeturinash që nuk largohen
SHKODËR - Edhe pse sezoni veror ka ardhur dhe në brigjet e liqenit të Shkodrës vërehen pushues ditorë që e frekuntojnë atë, askush nga pushteti vendor apo institucionet e ndryshme nuk ka marrë masa për të bërë pastrimin e brigjeve të liqenit , aty ku njerëzit shkojnë për të bërë plazh.
Shkodra, e cila ka potenciale turistike të konsiderueshme dhe pika turistike ujore e malore të frekuentuara, siç: janë Velipoja, Shiroka, Zogaj, Razma, Thethi etj, ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit nuk ka bërë çelje zyrtare të sezonit turistik.
Por pavarësisht nga kjo, pushues jo të paktë i janë drejtuar këtyre pikave turistike, qofshin këta ditorë apo rezidencialë. Në plazhet e Shirokës e të Zogajt, por dhe gjatë gjithë gjatësisë së bregut të liqenit, shihen grumbuj mbeturinash që nuk largohen dhe janë fare pranë atyre që bëjnë plazh.
OJF-të e shumta mjedisore që marrin projekte për liqenin e Shkodrës apo dhe institucionet përgjegjëse për të garantuar kushte normale për pushuesit, nuk kanë marrë asnjë masë për të bërë së paku largimin e mbeturinave nga brigjet e liqenit, i cili ndodhet fare pranë qytetit.
Mbeturinat urbane hidhen kryesisht nga baret e restorantet e shumta që ushtrojnë aktivitetin e tyre, por dhe banorët e këtyre dy lagjeve periferike apo personat që punojnë aty.
Edhe pse mjaft afër qytetit, Shiroka e Zogaj nuk e kanë tërhequr vëmendjen e institucioneve përkatëse për të menaxhuar pastërtinë në këto zona turistike dhe bërë të mundur grumbullimin dhe largimin e mbeturinave.