E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, PS-ja, 700 'policë' për të ruajtur votat

TIRANË- Suksesi që i dha ndërmjet të tjerave dhe organizimi i burimeve njerëzore për ruajtjen e votës gjatë zgjedhjeve lokale 2007 në Tiranë, ka bindur Partinë Socialiste që një skemë të tillë ta praktikojë edhe në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.


Bashkëpunimi i nisur disa muaj më parë mes selisë rozë dhe ish-uniformave blu, të nxjerrë në lirim si pasojë e "reformave" të qeverisjes së djathtë, si në evidentimin e problematikave në fushën e rendit ashtu edhe në hartimin e programit qeverisës për këtë fushë, pritet që të vazhdojë edhe ditën e zgjedhjeve, por kësaj here për ruajtjen e votës nga vjedhja.


Në këtë kuadër, Partia Socialiste dhe një numër i konsiderueshëm ish-drejtuesish dhe ish-pjesëtar të Policisë së Shtetit, kanë nisur organizimin e një strukture të posaçme, e quajtur Grupi Konsultativ për Çështjet e Rendit, nëpërmjet së cilës do tentohet të organizohet edhe ruajtja fizike e votës.


"Nuk është strukturë paralele por një grup konsultativ që do funksionojë pranë PS-së dhe do merret me të gjitha parregullsitë që do raportohen nga terreni.


Do ketë grupe vëzhguesish në terren, të cilët do të na njoftojnë për çdo gjë. Këto shqetësime ne do ja bëjmë prezente Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë por edhe publikut",- tha dje Pjerin Ndreu i kontaktuar nga "Shekulli".


Grupi konsultativ


Grupi Konsultativ ka në përbërje të tij ish-drejtues të policisë së shtetit, specialistë të fushës së rendit si dhe ish-ushtarakë të liruar nga qeveria "Berisha".


Ai drejtohet nga një shtab qendror, prej shtatë anëtarësh, në përbërje të cilët janë ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Pjerin Ndreu, ish- drejtori i Forcave Speciale, Artan Didi dhe ish-drejtori i Policisë së qarku Korçë dhe Elbasan, Arben Dashi.


Në këtë kohë zgjedhjesh, grupi konsultativ dhe shtabi i tij drejtues ka marrë përsipër që të kontribuojë edhe në garantimin e votave gjatë ditës së zgjedhjeve.


Për këtë qëllim, drejtuesit e shtabit kanë hartuar dhe një plan konkret veprimi dhe masash për organizimin e të gjithë kontingjentit të ish-policëve dhe ish-ushtarakëve, që kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj strukture në funksion të selisë rozë.


Bëhet fjalë për një kontingjent prej afro 700 forcash, të cilët janë shprehur të gatshëm, që të bashkëpunojnë me PS-në qoftë në këtë periudhë të fushatës elektorale për evidentimin e të gjithë elementëve problematik në fushatat e shkuara, dhe që mund të bëhen pjesë e tentativave të kundërshtarit politik në ndikimin e votës, ashtu edhe ditën e zgjedhjeve, duke qëndruar pranë qendrave të votimit.


Operacioni "Qershori"


Vëmendja tashmë është përqendruar e gjitha në ditën e zgjedhjeve. Për këtë qëllim, burime pranë shtabit, bënë të ditur dje se është hartuar një plan i hollësishëm veprimi për datën 28 qershor të koduar "Qershori".


Kështu, mësohet se 700 forcat, që janë vënë në dispozicion të PS-së, do të shpërndahen sipas një grafiku të detajuar pranë qendrave të votimit, ku dhe situata pritet të jetë më e nxehtë.


Në zbatim të ligjit zgjedhor, ata do të qëndrojnë jashtë qendrave të votimit dhe do të jenë të gatshëm që të vihen në veprim menjëherë sapo vëzhguesit e PS-së do të sinjalizojnë për problematika në procesin e votimit.


Detyra e këtyre forcave nuk do të jetë ndërhyrja fizike, por më shumë do të shërbejnë si një mbështetje morale për anëtarët e majtë në KQV, si dhe për të faktuar problematikat me mjete të posaçme.


Për këtë të fundit, mësohet se ata do të pajisen nga PS me mikrokamera për të fiksuar çdo tentativë, që do të kërkonte të ndryshonte vullnetin e zgjedhësve nëpërmjet presioneve apo veprimeve të tjera.


Ndërkohë, të gjithë informacionin që do të grumbullojnë në kohë reale, do t'ia përcjellin shtabit në qendër, i cili nga ana e vet do të vërë në dijeni për të gjitha problematikat, Policinë e Shtetit.


------------------------------------------------------------------------------------------------

Dy organizatat joqeveritare ende nuk kanë bërë kërkesën zyrtare për akreditim

Rezultati nga vëzhguesit, peng i akreditimit në KQZ


TIRANË- Projekti i Agjencisë për Administrimin e Zgjedhjeve dhe KRIIK Albania, për "Rezultatet Direkte të Zgjedhjeve", rrezikon të mos bëhet realitet. Kjo pasi këto dy organizma jo qeveritare nuk kanë bërë kërkesë zyrtare për akreditim pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


Burime pranë këtij komisioni kanë bërë të ditur dje për "Shekulli-n" se këto dy organizata jo qeveritare që disa ditë më parë me anë të ish-kryetarit të KQZ-së shpallën këtë nismë, jo vetëm që s'kanë sjellë kërkesë zyrtare për regjistrim, por tashmë kanë humbur dhe mundësinë për ta sjellë atë, pasi ka skaduar afati kohor që përcakton ligji zgjedhor.


Kështu neni 6 i kodit përcakton se "kërkesat e vëzhguesve shqiptarë për akreditim i paraqiten KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve.


KQZ-ja miraton kërkesat jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e tyre. Kërkesat e vëzhguesve të huaj paraqiten në KQZ jo më vonë se 72 orë para datës së zgjedhjeve. KQZ-ja miraton kërkesat e vëzhguesve të huaj brenda 24 orëve nga paraqitja e tyre.


Ndaj refuzimit ose mosdhënies së akreditimit mund të bëhet ankim, sipas procedurave të këtij Kodi", afat kohorë ky që ka skaduar që ditën e shtunë.


Ky projekt parashikonte që 450 vëzhgues të këtyre organizatave do të përcillnin me anë të celularit, numrin e votave për çdo parti ose koalicion, emrat e kandidatëve ose aleancave fituese.


Sipas kryetarit të ECA-s, Celibashi ata nuk do të bënin as më shumë dhe as më pak, atë që bëjnë partitë politike shqiptare, dhe as më shumë dhe as më pak atë se çfarë është në të drejtën dhe detyrë e vëzhguesit të zgjedhjeve.


Ai sqaroi se do të merrej informacion në kohë reale mbi funksionimin e procesit të numërimit të fletëve të votimit, në të gjitha vendet e numërimit të votave.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›