E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet rreperi Stresi

Policia e Tiranës ka kapur me armë dhe ka arrestuar këngëtarin e njohur si “Stresi”, Arkimed Lushaj. Rreperi është kapur nga patrullat e Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës, rreth orës 3 pas mesnate duke u gdhirë dita e enjte, në bulevardin Xhorxh Bush në kryeqytet. 

Stresi ishte duke lëvizur në këmbë në shoqërinë e një bashkëmoshtari të tij, dhe në momentin e komunikimit të parë me patrullën e policisë ka deklaruar se kishte dalë për të dëfryer në lokalet e natës. 

Nga kontrolli policët e patrullës I kanë bllokuar një armë zjarri e tipit pistoletë, e cila ka mjaftuar për të shoqëruar në pranga në komisariat. 

Sipas policisë, Stresi, është arrestuar në flagrancë me akuzën e armëmbajtjes pa leje. Kjo nuk është hera e parë që Stresi përfundon në pranga. 

Ai është arrestuar më herët për gjobëvënien ndaj regjizorit Leonard Bombaj, me pretendimin se ky i fundit kishte përdhunuar një prej nxënëseve të mitura. Por edhe për shkak të konflikteve që ka patur me rreperin tjetër të njohur si Noizi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›