E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet tregtari, iu kapën 100 mijë euro mall kontrabandë

Rreth 100 mijë euro mall i janë sekuestruar një tregtari te tregu çam, pasi dyshohet se e kishte sjellë kontrabandë. Burimet policore të kryeqytetit thanë se specialistët e seksionit kundër krimit ekonomik financiar, në kuadër të operacionit policor të koduar "Aroma", realizuan arrestimin në flagrancë të shtetasit Julian Ismet Kapedani, 35 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse rreth orës 07.50 është kapur në afërsi të tregut çam, duke tregtuar mallra kontrabandë, në automjetin e tij tip "Lançia", me targë TR 7114 S. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, të cilën e kishte përshtatur si magazinë për ruajtjen e mallrave kontrabandë, që vinin nga Italia dhe vende të tjera të Europës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shumë mallra të tjerë, që arrijnë një vlerë prej 100 mijë eurosh. Kështu, policia tha se sekuestroi rreth 637 parfume; 25 mijë buzëkuqe, pudra, rimela, penela, lapsa, manikyrë dhe kremra të llojeve të ndryshme; 10 mijë shampo; 521 bojë flokësh; 104 kremra të ndryshëm e shumë materiale të tjera, bashkë me automjetin tip "Lançia", me targë TR 7143 S. Policia kreu veprimet procedurale dhe materialet i kaluan prokurorisë për veprat penale të "Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë" dhe "Ruajtje të mallrave kontrabandë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›