"Baze", ekspertiza: Shoqëruesi i Taçit me fraktura
Një nga shoqëruesit e biznesmenit Rezart Taçi, gjatë përleshjes me gazetarin Mero Baze, ka pësuar fraktura në fytyrë. Irgen Selfo, sipas akt-ekspertimit mjekoligjor, ka një frakturë në syrin e majtë. Burime nga Prokuroria e Tiranës deklaruan se ekspertiza ka mbërritur në prokurori dhe po verifikohet së bashku me provat e tjera. Ky ekzaminim, sipas avokatëve mbrojtës të Taçit e Selfos, provon goditjet që ka marrë nga gazetari Baze. Në prokurori janë depozituar disa dëshmi të noterizuara të marrë personave të pranishëm në lokalin ku ndodhi dhunimi i gazetarit. Këta dëshmitarë, sipas mbrojtjes, provojnë pretendimet e klientit të tyre, se ai nuk e ka qëlluar gazetarin Baze, por e ka ndarë nga grindja me Irgen Selfon, i cili është i punësuar si shef i departamentit të shitjeve të kompanisë "Taçi Oil". Ndërkohë, presidenti i kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, i akuzuar si njëri nga tre agresorët që rrahën gazetarin Mero Baze, nëpërmjet avokatëve të tij, depozitoi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet kërkesën për revokimin e masës së sigurisë "arrest me burg", e dhënë në mungesë më 6 nëntor nga gjyqtarja Fahrie Budo. Brenda pesë ditëve, gjyqtarja Budo duhet të shqyrtojë këtë kërkesë penale të firmosur nga vetë i arrestuari Taçi, që ndodhet në dhomat e paraburgimit "Mine Peza" në kryeqytet.