E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monologu i Parlamentit

Ndoqa seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë dhe me keqardhje vërejta mjerimin e një grupi ushtarësh politikë, që belbëzonin njëri pas tjetrit vjershat e shkruara dhe lexuara keq prej vetes në rastin më të mirë dhe humorit e ironisë rurale të disa të tjerëve që rreken të bëjnë protagonistin në sytë e "udhëheqësit". Tablo politike mjerane, por dhe qesharake. Dikush del dhe i drejtohet opozitës, por ajo mungon në sallë. Një tjetër tenton të bëjë ironikun ose shakatorin me faktin e mungesës së opozitës, por nuk e kupton se prodhon një humor bastard që dhe sëra e vet, zor se do t‘ia pranonte. Pastaj një tjetër tenton me tone diplomatike të ftojë opozitën të vijë në Kuvend, dikush tjetër përdor akuzat agresive ndaj saj e kështu kalojnë orët e fjalimeve "para pasqyrës", derisa mbërrin kulmi i seancës dhe në poltronin qendror të Kuvendit shfaqet Kryeministri, i cili merr fjalën. E mjerueshme që dhe ai s‘di nga të shohë. U drejtohet deputetëve të vet, por mesazhin e ka për opozitën që nuk është. Kupton që s‘ka lidhje me ta e drejtohet nga krahu ku duhej të ishin të majtët, por karriget janë bosh e pastaj vendos të bëjë pak humor (më të tijën kuptohet). Kur mbaron dhe humori e anekdotat kujtohet se është rasti që t‘i bëjë thirrje serioze opozitës të vijë në Kuvend dhe vendos t‘i drejtohet përmes kamerave të televizioneve me një mesazh që para së gjithash bazohet mbi arritjet e mëdha të vendit nën drejtimin e qeverisë së tij. Qëmoti sukseset i kishim me plane 5-vjeçare, ndërsa tani i kemi edhe brenda pak ditësh. P.sh Kryeministri u tha deputetëve dhe të gjithë shqiptarëve se ditët e fundit u shënuan zhvillime të mëdha, ku sipas tij spikaste Rezoluta e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave, por jo për Shqipërinë, por për Malin e Zi, Maqedoninë e Serbinë. Berisha buzëqeshte dhe shfaqte hare, a thua se ishin në hall tri vendet që e përfituan liberalizimin e vizave dhe jo ne, që edhe pas 20 vjetësh nga rënia e Murit të Berlinit, mbetemi ende të izoluar. Dhe këtë peshqesh e kemi posaçërisht nga politika e këtyre dy dekadave ku zoti Berisha është protagonisti kryesor. Kryeministri i siguroi shqiptarët se Parlamenti Europian do ta votonte menjëherë rezolutën për heqjen e vizave ndaj Shqipërisë, nëse plotësonim kushtet, a thua se ngërçi qëndron në Strasburg e jo në Tiranë. Zoti Kryeministër, nuk ka shqiptar brenda dhe jashtë vendit që s‘e di se shkaku i vetëm që jemi ende të izoluar nga Europa dhe që endemi gardheve të ambasadave për të marrë një vizë, edhe 20 vjet pasi është rrëzuar Muri i Berlinit, është vetëm qeverisja e mbrapshtë me skandale e korrupsion, me skuthllëqe e pabesi, me amatorizëm e pa vizion. Zoti Kryeministër, arti i politikës është kompromisi, por jo i atij lloji për të ndarë pushtetin për përftime personale, por për t‘i dhënë progres e prosperitet vendit. Të takon ty të gjesh rrugën për të kthyer opozitën në Kuvend që të zhbllokohen reformat. Lëri shakatë arkaike me të cilat buzëqeshin vetëm një tufë servilash që të shohin si perëndi se u ke vënë emrin në listën e deputetëve. Kthe opozitën në Parlament dhe jepi fund monologut politik. Shqiptarët meritojnë të anëtarësohen në BE, jo për mëshirë e servilizëm ndaj kancelarive europiane, por për dinjitetin e një kombi të lashtë që më shumë se nga të huajt, është persekutuar dhe privuar për shkak të një kallëpi të shtrembër politik që e ka drejtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›