Arrestohet vrasësi i rojes së fabrikës
BULQIZË-Është arrestuar njëri nga vrasësit e rojes së fabrikës së mermerit në Kovashicë të Bulqizës. Burime policore thanë se nga hetimet intensive që ka realizuar policia dhe prokuroria është zbuluar se vrasja ka ndodhur pas një grabitje. Gazmend Murrja, 21 vjeç, banues në fshatin Homesh është arrestuar nga policia lokale, ndërkaq është shpallur në kërkim shtetasi Menduh Murrja. Gjatë hetimeve ka rezultuar se babë e birë, kanë hyrë në fabrikën e mermerit dhe kanë vjedhur një sasi kabëlli elektrik dhe kanë tentuar të largohen nga mjediset e fabrikës. Sapo janë diktuar nga roja Petrit Leka, 55 vjeç, kanë shtënë mbi të duke e lënë të vdekur në vend. Policia është vënë në ndjekje të autorit të dytë të ngjarjes si dhe zbardhjes së plotë të saj. Policia ka sekuestruar një armë automatike. 700 fishekë dhe kabllin e vjedhur në fabrikë.