E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, bllokohen në kufi me Kosovën 110 kg mariuanë

SHKRUAN: Ilda Tota 13-05-2011 11:48

KUKËS- Një sasi e konsiderueshme droge, e klasifikuar si mariuanë, është kapur dje në orët e vona të natës në kufirin e Shqipërisë me Kosovën. Nga burime të Drejtorisë së Policisë së Kukësit mësohet se droga vinte nga Shqipëria dhe transportohej drejt Kosovës, me anë të një kamioni me rimorkio MAN. Zëdhënësja e policisë, Suada Sula, tha se sasia e drogës është 110 kg, e cila ishte e presuar dhe e paketuar në 8 thasë plastikë. Ajo tha gjithashtu se droga klasifikohet si mariuanë, ndërsa Policia e Kukësit ka shoqëruar në mjediset e komisariatit shtetasit nga Kosova, Leonard Kelmendi dhe Ram Nikçi, të cilët kanë qenë në kamionin ku u gjet lënda narkotike, njëri si drejtues i mjetit e tjetri si shoqërues. Sasia e lëndës mariuanë është sekuestruar nga policia, ndërsa mjeti tip ‘Man” kamion, me targa 0378 AJ, ku u gjet droga është bllokuar. Burime të antidrogës në Kukës tregojnë se për zhvendosjen e kësaj lënde të ndaluar ka pasur sinjale nga shërbimet operative, ndërsa për këtë qëllim ishte organizuar edhe aksioni përkatës i koduar “Shtegu pa kthim”, i zhvilluar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Dogana e Morinit është një nga kanalet e trafikut të drogës dhe mallrave të tjerë, mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe kjo është nga sasitë e mëdha të drogës të kapura në vitet e fundit. Droga e sekuestruar do të analizohet në laborator, ku do të dalin të dhëna të sakta mbi llojin, por edhe mbi përmbajtjen. Droga ishte sistemuar në një maune të ngarkuar me çimento, një ngarkesë e cila ka shumë pak gjasa të shkarkohet për t’u verifikuar. “Ishte një ngarkesë me çimento shqiptare, ku vetëm informacionet paraprake kanë bërë të mundur gjetjen e drogës”, tha një efektiv i komisariatit. Plani për kapjen e drogës kishte disa ditë që ishte hartuar dhe fillimisht automjeti është ndaluar për disa formalitete doganore, ndërsa më pas është detyruar të drejtohet drejt e në komisariat, ku dy personave që ndodheshin në maune, shoferit dhe shoqëruesit, u është komunikuar masa e shoqërimit dhe sekuestrimi drogës dhe bllokimi i mjetit. Sipas burimeve nga Policia e Kukësit tha se ishte një canabis e përpunuar dhe po kalohej Kosovë për tregun vendës dhe ndoshta edhe tregjet e tjera. Ai tha se forma e përgatitur e mariuanës tregon se konsumatorët e përdorin, duke e tymosur si cigare, pasi përbën një lloj hashashi. Lënda narkotike mendohet të jetë prodhuar dhe paketuar në Shqipëri, edhe pse vendi jonë ka shpallur në vitin e shkuar eliminimin gati tërësisht të bimëve narkotike. Gjithashtu është hedhur dyshimi se ngarkesa mund të jetë futur nga Greqia apo Turqia. Pak më herët, qarku i Kukësit ka qenë në hartën e prodhuesve të drogës, përkatësisht të kanabis sativa, ku është për t’u theksuar se mijëra rrënjë mbilleshin në masivet pyjore të Tropojës, kryesisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›