Automjeti del nga rruga, humbet jetën punëtori i rrugëve
Gjirokastër- Një punëtor i Ndërmarrjes së Rrugëve në Gjirokastër ka humbur jetën dhe një tjetër ka ngelur i plagosur lehtë, si shkak i një aksidenti automobilistik. Ngjarja ka ndodhur në rrugën kombëtare Gjirokastër-Subash, në vendin e quajtur Gërhot. Sipas dëshmitarëve okularë, gjatë daljes nga rruga, një automjet ka goditur dy punëtorët që po punonin anës rrugës, duke shkaktuar vdekjen e njërit, ndërkohë që tjetri ka marrë plagë të lehta. Burime zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër thonë se, automjeti Xhip Mitsubishi, me targa GJ 99 58 A, që drejtohej nga 30-vjeçari Viktor Halilaj, lindur në Salari -Tepelenë dhe banues në Gjirokastër, ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka përplasur punëtorë të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Gjirokastër, të cilët ishin duke punuar anës rrugës, për të pastruar ferrat e barërat. Si pasojë e goditjes nga automjeti, Hito Bezgo, 60 vjeç, me banim në Gjirokastër, është plagosur rëndë ndërsa punëtori tjetër Hasbi Avduli, 59 vjeç, me banim në Bulo-Gjirokastër, ka marrë plagë të lehta. Menjëherë të dy të lënduarit janë transportuar për në spitalin e Gjirokastrës. Megjithë ndihmën e specializuar mjekësore, si shkak i plagëve të marra, 60-vjeçari H.Bezgo nuk ka mundur të mbijetojë ndërkohë që punëtori tjetër paraqitet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka bërë shoqërimin e drejtuesit të automjetit në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme hetimore. Grupi hetimor ka konstatuar paraprakisht se shkaku i kësaj përplasje është humbja e kontrollit të drejtuesit të automjetit.