BULQIZE Vëllai i kryetarit të bashkisë Bulqizë, plagos babanë
BULQIZË-Megjithëse ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, është mbajtur e fshehtë nga familjarët dhe policia e Qarkut Dibër. Mësohet se Elton Keta, me profesion mjek, përgjegjës i pavionit të pathologjisë në spitalin lokal të Bulqizës, vëllai i kryetarit të kësaj bashkie, Roland Keta, ka plagosur rreth mesnatës, të datës 11 maj, Haziz Ketën, babain e tij. Burime policore saktësuan se plagosja ka ndodhur nga pakujdesia dhe se 66 vjecari kishte marrë dy plumba në këmbë dhe se ishte dërguar në fshehtësi në spitalin ushtarak. Duke gdhirë dita e djeshme policia ka mësuar lajmin për plagosjen e babait të kryebashkiakut dhe ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes kriminale. Ekspertë të policisë kanë mbërritur rreth orës 04.00 të ditës së djeshme në familjen Keta, banore e qytetit të Bulqizës, dhe është interesuar në lidhje me ngjarjen. Të afërmit e të plagosurit janë shprehur se kryefamiljari nuk kishte pësuar gjë dhe se ishte një sajesë. Madje ata kanë aluduar se ai ndodhej për mik diku gjetkë. Policia më parë kishte marrë të dhëna se Haziz Keta ndodhej në Spitalin Ushtarak dhe nuk iu ka besuar fjalëve të familjarëve. Në deklaratën e policisë Qarkut Dibër thuhet: “Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se me datë 11.05.2011 rreth orës 22.30 shtetasi Elton Keta, 30 vjeç, banues ne Bulqizë, ka plagosur me pistoletë në këmbë, babain e tij H.Keta i cili menjëherë është dërguar në Q.S.U.T për të marrë ndihmën e nevojshme. Gjatë hetimeve rezultoj se shtetasi H.Keta është plagosur në këmbë nga pakujdesia. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Dibër për veprën penale të “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Plagosjes së rëndë nga pakujdesia” parashikuar nga neni 278/2 e 92 te Kodit Penal.