Arrëthyesi i Ilir Kernit
Balerini Ilir Kerni këto ditë është parë në Tiranë. I heshtur, këmbët i ka hequr prapë zvarrë në shtëpinë e tij, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Baleti me dy akte, “Arrëthyesi” i Çajakovskit do të njohë premierën në Tiranë nën koreografinë e Kernit.
Prezantimi do të bëhet nga solistë të trupës së Baletit dhe orkestra simfonike e TKOB-së, si dhe nxënës të shkollës së mesme të koreografisë kombëtare. Në rolet kryesore: Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ilir Kerni, Ledia Sulaj, Elton Merja, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Fatjon Lito, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Elona Dervishi, Adela Muçollari, Greta Hushi etj. “Arrëthyesi” i Çajakovskit është një muzikë mbretërore e porositur nga drejtori i Teatrit të Moskës me kërkesën specifike të mbretërve rusë. Dhe menjëherë u bë vepra më popullore, specifika pse vihet në skenë në periudhën e festave të fundvitit. Historia rrjedh nga tregimi “Arrëthyesi dhe Mbreti i minjve” i Ernst Theodor Amadeus Hoffmann. Këtë muzikë Çajkovski e kompozoi mes viteve 1891 e 1892. Vënia e parë skenike u realizua në të njëjtën kohë me operën “Iolanta”, po e kompozitorit Çajkovski, që mban datën 18 dhjetor 1892 pranë Teatrit Mariinskij të San Pietroburgo, Rusi. Shfaqja me koreografi të balerinit rus, Lev Ivanovi, u drejtua nga kompozitori italian, Ricardo Drigo. Mes interpretuesve të kësaj shfaqjeje spikasin italiania Antonietta Dell'Era, në rolin e Fata Confetto, rusi Pavel Gerdt, Olga Preobrajenska dhe i riu Nicolaj Legat. Suita e këtij baleti u bë mjaft popullore në ambientet e koncerteve, aq sa vetë Çajkovskij vendosi të nxjerrë shtatë lëvizje. Një prurje e re në këtë vepër është prezenca e instrumentit të Çelestes, që Çajkovskij dëshironte shumë ta fuste në vepër dhe e shtoi në disa pasazhe të aktit të dytë. Në vitin 1934, në Mariinsky (Kirov) Teatri i Operës dhe Baletit, u inskenua edicioni i Vassilij Vajnonen dhe po atë vit u pa inskenimi evropian i baletit, në Londër në Sadler's Well, sipas koreografisë së Ivanov. Në Itali mbërriti vetëm pas 4 vitesh të prezantimit të parë të tij, në 1938, në teatrin La Scala të Milanos.
Si vepër “Arrëthyesi” është realizuar në kinema, teatër dhe madje edhe në sport, sidomos muzika dhe drama e tij. Një shembull kinematografik është filmi “Fantasia” e Disney-t, në të cilin zana, kërpudha të animuara dhe peshq vallëzojnë nën ritmin e notave të “Arrëthyesit”. Në çdo lloj trajtimi, partitura muzikore e Çajkovskit është riprodhuar pa asnjë ndryshim.
Popullariteti i “Arrëthyesit” në një farë mase i dedikohet Willam Christensen, themelues i kompanisë së baletit në San Francisco, i cili e çoi këtë vepër në USA në vitin 1944. Suksesi i baletit dhe koreografia e George Balanchine krijoi një traditë të vërtetë dimërore në veprat skenike të SHBA-së.
Muzika e baletit është ndër kompozimet më popullore të traditës ruse. Muzika në fakt i përket traditës romantike dhe përmban disa nga pjesët më të paharrueshme të kësaj tradite: Il Trepak, ose Danza russa, janë nga pjesët më të njohura të baletit, së bashku me të famshmin Valzer dei fiori, ashtu si i gjithmonëgjeturi “Danza della fata confetto”. Baleti në mënyrë befasuese përmban harmoni e ngjyra orkestrore moderne, përveçse një pasuri të mrekullueshme melodish.