Për herë të parë u vendoset implant koklear dy pacientëve që s’dëgjonin
Spitali Amerikan i Tiranës, në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Qendrën Spitalore Universitare realizuan për herë të parë në Shqipëri dhe rajon implantin koklear të veshit. I vlerësuar si një ndërhyrje po aq me rëndësi sa transplanti i veshkave apo zemrës implanti koklear gjen tashmë aplikim edhe në Shqipëri, falë ekspertizës dhe teknologjisë së lartë të Spitalit Amerikan. Manuela Harizi, 4 vjeç, e lindur pa aftësi dëgjimi dhe Roland Dollani, 57 vjeç, i cili kishte humbur dëgjimin totalisht gjatë viteve të fundit, ishin pacientët e parë që iu nënshtruan kësaj ndërhyrjeje. Suksesi i dy operacioneve të këtij lloji u arrit falë punës së gjatë të ekipit të Spitalit Amerikan në bashkëpunim me klinikën e ORL-së pranë QSUT-së. Ekipi prej 4 mjekësh, 1 austriak dhe 3 shqiptarë, prof. dr. Wolfgang Gstottner – Klinika ORL, Universiteti i Vjenës; op. dr. Dritan Vasili – Kirurg ORL, Spitali Amerikan; prof. dr. Pjerin Radovani – Klinika ORL e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; op. dr. Edlira Beqiri – Kirurge ORL, ndryshoi jetën e dy pacientëve që vuanin prej vitesh nga mungesa e plotë e dëgjimit. Kontribut të veçantë në realizimin e kësaj ndërhyrjeje ka patur firma austriake MED – EL që ka dhuruar për të dy pacientët aparaturën e implantit, si dhe Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë që ndërmjetësoi për operacionin e Manuelës së vogël. Implanti koklear i aplikuar në Spitalin Amerikan, përveçse është ndërhyrja e parë e këtij lloji në vend, është shumë i rëndësishëm edhe sepse është i programuar për persona shqipfolës.
Berisha
Pacientët e Spitalit Amerikan të Tiranës, që iu nënshtruan me sukses implantit koklear, u vizituan gjatë ditës së djeshme nga Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, znj. Liri Berisha, si dhe ministri i Shëndetësisë, z. Petrit Vasili. “Dua t'i shpreh falënderimin më të madh dhe më të sinqertë këtij spitali, si dhe profesorit vjenez që kreu sot këtu një operacion që ndoshta për herë të parë kryhet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, implanti koklear i veshit, me të cilin i rikthejnë dëgjimin e humbur një mjeku të përkushtuar që sapo e vizituam dhe operacionin tjetër të një fëmije, operacion që do të ndryshojë dhe përmirësojë në mënyrë rrënjësore jetën e tyre”, - theksoi në fjalën e tij Kryeministri Berisha.
Implanti
Një implant koklear është një pajisje e implantuar elektronike për dëgjimin, e projektuar për të prodhuar tek një person me dëmtim të rëndë deri në të thellë të dëgjimit, ndjesi dëgjimi të dobishme duke stimuluar nervin brenda veshit të brendshëm. Këto implante zakonisht konsistojnë në 2 komponentë, një mikrofon i jashtëm, procesori i tingullit dhe sistemi transmetues. Marrësi i implantuar dhe sistemi elektrodë, i cili përmban cirkuitin elektronik që merr sinjalet nga sistemi i jashtëm dhe dërgon rryma elektrike në veshin e brendshëm. Implantet kokleare janë prodhuar për të ndihmuar adultët e shurdhët në mënyrë të rëndë deri në të thellë dhe fëmijët të cilët kanë përfitime të vogla ose s’kanë fare përfitime nga ndihma dëgjimore. Edhe personat me dëmtime të rënda deri të thella të nervit të dëgjimit mund të përfitojnë nga implantet kokleare.
Suksesi i implantimit:
Sa kohë ka që pacienti është i shurdhët – pacientët që kanë më pak kohë dalim më mirë se ata që kanë më tepër kohë që janë të shurdhët
• Sa vjeç kanë qenë kur u shurdhuan – nëse kanë qenë të shurdhët para se të fillonin të flisnin
• Sa vjeç ishin kur morën implantin koklear – pacientët e rinj dalin më mirë se pacientët e vjetër, të cilët kanë qëndruar të shurdhët për një kohë më të gjatë
• Sa gjatë e kanë përdorur implantin
• Sa shpejt mësuan
• Sa e mirë dhe e përkushtuar është struktura mbështetëse e të mësuarit
• Shëndeti dhe struktura e kokleas së tyre – numri i qelizave nervore (ganglionet spirale) që ata kanë
• Inteligjenca dhe aftësia komunikuese e pacientit
Shëndetësi
Fakulteti i Mjekësisë bashkëpunim me fakultetet italiane
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka pritur dje në një takim zv.ministrin italian të Arsimit, Giuseppe Pizza. Gjatë këtij takimi, Pizza ka theksuar rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona veçanërisht në fushën e shëndetësisë. Zëvendësministri i Arsimit vlerësoi me rëndësi ndërmarrjen e hapave në zhvillimin e mëtejshme të sistemit shëndetësor që mbështet veçanërisht edhe në zhvillimin e arsimit. Në këtë takim, ku gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia dhe përfaqësues të lartë të Universitetit "Zoja e Këshillit të Mirë" në Tiranë, ministri i Shëndetësisë, Vasili ka vënë në dukje rolin e këtij universiteti në përgatitjen e kuadrove të rinj e të kualifikuar, në sektorin e mjekësisë duke theksuar se ky universitet ka sjellë përvojën italiane të shëndetësisë në vendin tonë duke ju krijuar mundësinë në këtë mënyrë mjaft të rinjve shqiptarë që të ndjekin studimet në vendin e tyre me të njëjtin standard që ofrojnë universitetet italiane.
A/H1N1
Dy pacientë izolohen në Infektivin e Beratit
Pas simptomave të ngjashme me ato të gripit dhe përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore, mjekët vendosën izolimin e gruas nga komuna Lumas dhe vajzës nga qyteti i Beratit në një prej dhomave të infektivit. Ashtu siç konfirmojnë dhe vetë mjekët, dy pacientet fillimisht kanë pasur simptomat e një viroze normale gripale, ndërsa më vonë pësuan komplikacione shëndetësore që la të dyshohej se ato mund të ishin prekur nga virusi A/H1N1. Aktualisht dy pacientet po trajtohen me tamiflu, ndërkohë që priten rezultat përfundimtare të analizave.