Arrihet marrëveshja

Izraeli pranoi dje marrëveshjen e armëpushimit me militantët palestinezë të Hamasit në Rripin e Gazës, marrëveshje e cila hyn në fuqi sot, që në orën 6:00 të mëngjesit. Lajmi u njoftua nga një funksionar i mbrojtjes izraelite, një ditë pas njoftimit të bërë nga Hamasi dhe ndërmjetësit egjiptianë. Në Kajro u zhvillua mbrëmë një takim, pikërisht për të rregulluar detajet e kësaj marrëveshjeje, të cilat do të bëhen të ditura në ditët në vazhdim. Sipas mediave egjiptiane, liderët izraelitë morën këtë vendim mbrëmjen e djeshme, pas mbërritjes në Izrael nga Kajro e gjeneralit Amos Gilad, këshilltar politik i Ministrisë së Mbrojtjes së shtetit hebre. Gilad konfirmoi për radion publike izraelite, se bëhet fjalë për një marrëveshje për armëpushimin total të zjarrit, në të cilën del garant Egjipti. Ai shtoi se, nëse do të verifikohen lëshime të tjera raketash, kushdo qoftë autori, do të konsiderohet dhunim i marrëveshjes. Gjenerali u shpreh se ka marrë garanci nga Kajroja mbi vullnetin e Egjiptit për të ndalur kontrabandën e armëve nga pjesa egjiptiane e gadishullit të Sinait drejt Rripit të Gazës. Në fund ai premtoi se do të ketë përshpejtim të negociatave që parashikojnë shkëmbimin e disa të burgosurve palestinezë, në këmbim të lirimit të ushtarit izraelit, Gilad Shalit, i rrëmbyer në vitin 2006 në Rripin e Gazës.
Kështu, falë ndërmjetësimit të Kajros, Izraeli dhe Hamasi pranuan të nisin një armëpushim prej 6 muajsh në Rripin e Gazës, duke nisur që nga dita e sotme.