E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksplozivi me telekomandë

20 ditë burg për pronarët, në qeli dhe shoku i tretë Duket se nuk ka qenë e sigurt prokuroria në kërkimin e masës së sigurisë burg pa afat për dy të arrestuarit e operacionit C4

ELBASAN - Gjykata e Elbasanit dha dje masën e sigurisë së arrestit me 20 ditë burg për Nevit Hysenaj dhe Arben Binjakun, të cilët dyshohet se mbanin mina dhe eksploziv C4, të telekomanduar në distancë. Po dje policia vuri në pranga edhe një person të tretë, i cili dyshohet se ka lidhje me vlonjatin Hysenaj dhe elbasanlliun Binjaku. Prokurorja e çështjes, Ermira Tafani, ka kërkuar masën e sigurisë së arrestit me burg për autorët e mësipërm, pasi sipas saj, ekzistojnë prova të mjaftueshme që i implikojnë ata në veprën penale të mbajtjes së lëndëve luftarake. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Zihni Shahu, e ka cilësuar si të ligjshme kërkesën e prokurores, por ka vendosur masën e sigurisë me 20 ditë burg për Hysenajn dhe Binjakun, duke kërkuar që gjatë kësaj periudhe të kryhen provat daktiloskopike të gishtërinjve, në qeset me municion dhe analizimin teknik i sendeve të gjetura. Gjyqtari i çështjes, Zihni Shahu, deklaroi se e cilëson të drejtë kërkesën e prokurores, por para se të vendoset masa e sigurisë së arrestit me burg, ai ka kërkuar të kryhen dy ekspertime: ekspertimi i shenjave të gishtave në qeset e gjetura me municion, dhe ekspertimi teknik i materialeve të gjetura brenda në qese. Pas përfundimit të ekspertimeve, trupi gjykues do të vendosë se cili nga këta persona është i implikuar në këtë ngjarje. Ndërkohë, në vazhdën e këtij aksioni, shërbimet e policisë në Elbasan kanë ndaluar Gjergj Verushin, 30 vjeç, me banim në lagjen “Shënkoll”. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ky person ka qenë i shpallur në kërkim me shkresë ekstra nga Drejtoria e Policisë, si bashkëpunëtor në ngjarjen kriminale të datës 14 qershor 2008, ku u arrestuan Arben Haxhihyseni (Binjaku) dhe Nevit Hysenaj. Policia vazhdon të deklarojë se këta persona, në bashkëpunim mes tyre, tentuan të kryenin hakmarrje kundrejt një familjeje në Elbasan. Edhe ndaj Verushit është ngritur akuza e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak. Familja e Arben Haxhihysenit këmbëngul se djali i saj nuk është përfshirë në këtë ngjarje. Megjithatë, kryerja e ekspertimit të qeseve do të vërtetojë plotësisht këtë pretendim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›