E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët, ja sa përfitojnë nga rritja

Nga 1 korriku, rritja e pensioneve të qytetit me 760 lekë, kurse pensionet e fshatit me 690 lekë Ushtarakët, punonjësit e policisë dhe minatorët rritje pensioni nga 5 deri në 10 për qind

Nga 1 korriku, 527 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë rritje pensioni. Sipas vendimit të qeverisë, rritja e pensioneve do të jetë 15 për qind për pensionet e fshatit dhe 10 për qind për pensionet e qytetit. E përkthyer në vlerë monetare, përfitimet në lekë të pensionistëve sipas vendimit të qeverisë do të jenë 690 lekë, 760 lekë dhe 1260 lekë. Vlera e rritjeve të pensioneve është e njëjtë me ato të vitit të kaluar, ku shtesa prej 760 lekësh për një pensionist qyteti është shumë e ulët, duke u nisur nga rritja prej 4. 2 për qindësh e çmimeve. Pra, në këtë mënyrë, mund të thuhet se nuk kemi një rritje të vërtetë të pensioneve, por thjesht ruajtje të të ardhurave të pensionistëve nga zhvlerësimi i lartë i inflacionit. Krahas kësaj, pensionistët do të vazhdojnë të tërheqin 150 lekë në muaj kompensim për çmimin e bukës, 350 lekë në muaj kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj kompensim për çdo pjesëtar që është në varësi të ndihmës ekonomike. Sipas këtyre rritjeve, pensionet e plota të pleqërisë, invaliditetit dhe ato familjare pas datës 1 korrik e në vazhdim nuk do të jenë më pak se 5200 lekë në muaj. Po ashtu, sipas vendimit të qeverisë, për të gjithë ata pensionistë ku të ardhurat mujore të tyre janë 11 275 lekë, të ardhurat për pensionistët që marrin pension të pjesshëm do të kenë rritje pensioni në masën 1260 lekë. Po ashtu, rritje pensioni do të ketë edhe për pensionistët, të ardhurat mujore të të cilëve janë deri në 11 775 lekë dhe për të ardhurat e invalidëve që marrin pensione të pjesshme, rritja do të jetë 760 lekë. Vendimi i qeverisë parashikon që, në këtë mënyrë, pensioni minimal i qytetit me rritjen prej 760 lekësh nuk do të jetë më pak se 9 515 lekë në muaj, kurse pensioni maksimal i qytetit me rritjen shkon në 19.030 lekë. Pensionistët e fshatit, numri i të cilëve arrin në 158 mijë, do të kenë rritje pensioni në masën 690 lekë në muaj, ku në këtë mënyrë pensionet e plota minimale të fshatit nuk do të jenë më të ulëta se 5200 lekë në muaj. Ndërsa personat që kanë paguar kontribute si të vetëpunësuar në bujqësi, përfitojnë një pension 6 910 lekë, ose 72.6 për qind të pensionit të qytetit. Përveç pensionit, pensionistët e fshatit do të marrin çdo muaj kompensim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 200 lekësh. Të gjithë pensionistët që marrin pension fshati, kur banojnë në qytete përveç pensionit mujor, do të vazhdojnë të marrin kompensim për liberalizimin e çmimit të energjisë prej 350 lekësh në muaj. Kurse për personat në varësi ekonomike të tyre, kompensimi do të jetë 414 lekë në muaj, duke iu shtuar të gjitha këtyre shtesën prej 690 lekësh që nis që nga 1 korriku. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi janë llogaritur nga Ministria e Financave në vlerën e 2 674 lekëve në muaj, të cilat do të përballohen të gjitha nga fondet e kontingjencës.

Rritjet e pensionit për ushtarakët

Nga 1 korriku, rritje pensioni do të përfitojnë 22 600 ish-ushtarakë të forcave të armatosura, pilotë fluturues, detarë të nëndetëseve, ish-ushtarakë të Ministrisë së Rendit dhe minatorë me trajtim të veçantë. Sipas projektit të Ministrisë së Financave, pensionet e parakohshme, pensionet suplementare, si dhe të ardhurat e tjera të përhershme që përfitohen nga ish-ushtarakët, ish-punonjësit e policisë, gardës dhe shërbimit informativ, rritja të jetë në masën 5 për qind. Ndërkohë, pensioni i pleqërisë që përfitohet nga ushtarakët, punonjësit e policisë, gardës, si dhe për të gjithë pensionistët e tjerë rritet 10 për qind. Po ashtu, të gjithë pilotët fluturues, ushtarakët e nëndetëseve, ish-punonjësit e minierave dhe të industrisë ushtarake do të përfitojnë rritje pensioni në masën 5 për qind. Edhe për këto grupe pensionet e pleqërisë do të rriten në masën 10 për qind.

Pensionet e reja të 22 600 ish-ushtarakëve

Pensioni maksimal për vjetërsi shërbimi arrin 18 165 lekë në muaj.

Pensioni maksimal suplementar arrin 6400 lekë në muaj.

Pensioni për ish-punonjësit e industrisë ushtarake arrin 10800 lekë në muaj.

Përfituesit

13 300 ushtarakë të forcave të armatosura

240 pilotë fluturues

125 detarë të nëndetëseve

3 360 ish-ushtarakë të Ministrisë së Rendit, SHISH-it dhe Policisë së Shtetit

4500 minatorë me trajtim të veçantë

850 punonjës së industrisë ushtarake

Rritja e re sipas kategorive:

Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit:

Ishte

8650 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 10410 lekë

Bëhet

9515 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 11275 lekë

Të ardhura maksimale për pensionin e plotë të qytetit:

Ishte

17300 lekë + 350 + 150 = 17800 lekë

Bëhet

19030 lekë + 350 + 150 = 19530 lekë

Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:

Ishte

4520 + 200 + 690 = 5410 lekë

Bëhet

5198 + 200 + 690 = 6085 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›