Kancelari dhe doktoraturat marrin OK

TIRANË - Këshilli i Ministrave miratoi dje propozimin e ministrit të Arsimit për kancelarin universitar, të drejtat, detyrat, procedurën e zgjedhjes dhe emërimin e kësaj figure kaq të debatuar së fundmi nga rektorët e universiteteve publikë në vend. Po dje morën miratimin edhe doktoraturat, ku sipas vendimit, rreth 500 studentë që kanë mbaruar studimet para vitit 2007, do të vijojnë studimet e tyre pasuniversitare sipas ligjit të vjetër të arsimit të lartë, ndryshe nga studentët pas vitit 2007. Sipas VKM-së, kancelari është autoritet në përbërje të Rektoratit, që drejton veprimtarinë e administratës së këtij institucioni, realizon administrimin financiar të tij, drejton planifikimin dhe realizimin e investimeve, mbikëqyr të gjitha procedurat e marrjes në punë, kryeson sekretariatin teknik që mbështet veprimtarinë e Këshillit të Administrimit, dhe me autorizim të rektorit, përfaqëson ose bashkëpërfaqëson institucionin në të gjithë proceset gjyqësore apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me palët e treta, persona fizikë ose juridikë etj. Kancelari përzgjidhet dhe emërohet sipas kësaj procedure: fillimisht Këshilli i Administrimit (KADM) miraton kriteret për kandidatët, rektorati shpall publikisht për dy javë kalendarike vendin e punës dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kancelar, të cilët duhet të jenë së paku tre. Çdo anëtar i KADM-it bën vlerësimin e tij me shkrim, sipas skemës së miratuar, për çdo kandidat, dhe në fund bëhet shuma e pikëve të grumbulluara, mbi bazën e së cilës shpallet renditja me pikë e kandidatëve. KADM-i ka të drejtë të përzgjedhë me votim të fshehtë njërin nga tre kandidatët që ka grumbulluar më shumë pikë. Fitues shpallet kandidati që merr 2/3 e votave të anëtarëve. Rektori i përcjell ministrit të Arsimit dhe Shkencës kandidaturën për kancelar të institucionit brenda 2 ditësh punë nga ardhja e propozimit, duke e shoqëruar atë me vendimin e KADM-it, së bashku me relacionin shoqërues, i cili pasqyron të plotë edhe qëndrimin e pakicës që ka votuar kundër. Ministri i Arsimit ka të drejtë të pranojë ose refuzojë kandidaturën e propozuar brenda 10 ditësh pune nga dita e mbërritjes së propozimit në dikaster. Në rast refuzimi të kandidaturës, përsëritet e gjithë procedura e përzgjedhjes së kancelarit të Institucionit. Nëse ministri e refuzon edhe kandidaturën e propozuar herën e dytë, ai ka të drejtë të emërojë një kancelar të komanduar, për jo më shumë se 1 vit. Gjatë kësaj periudhe, KADM-i përzgjedh një kandidaturë të re, sipas procedurave të mësipërme. Kancelari shkarkohet nga ministri i Arsimit me iniciativën e tij, me propozim të KADM-it ose rektorit.
Rektori Kule falënderon qeverinë
“E detyruam qeverinë që të ndryshonte qëndrim në lidhje me propozimin që i mbërriti në tavolinë për kancelarin”, tha dje për “Korrierin” rektori i UT-së, Dhori Kule. Vetëm pak ditë më parë, rektorët e universiteteve publike i nisën një shkresë zyrtare kryeministrit, me anë të së cilës kundërshtonin mënyrën e zgjedhjes së kancelarit. Kryetari i konferencës së rektorëve, rektori i UT-së, Dhori Kule, u shpreh se nxjerrja e disa akteve nënligjorë që lidhen me mënyrën e emërimit të kancelarit, si dhe kompetencat që i jepen atij është antiligjore. Ai i është referuar nenit 22, pika 7 e ligjit për arsimin e lartë, që përcakton se “kancelari emërohet nga rektori, mes tri kandidaturave të propozuara nga Këshilli i Administrimit i Institucionit”. Ndërkaq, propozimi i ri që mbërriti në qeveri përcakton që emërimi bëhet nga ky këshill, që është strukturë e MASH-it. Pikërisht kjo gjë për drejtuesit e shkollave të larta publike, i kthen strukturat e fakultetit në vegla të ministrisë dhe ministrit përkatës.