Qeveria, rritje 7 taksave

Ministria e Financave ndryshon sistemin e taksave vendore dhe atyre kombëtare. Duke nisur me ndryshimet në taksat vendore, të gjithë qytetarët nuk do të paguajnë më taksën e apartamentit të tyre në bazë të vitit të ndërtimit, por ajo do të paguhet në bazë të zonave. Ndryshimet do të sjellin 3-fishim të taksës, ndryshe nga vlera që ajo paguhej më parë. Kështu, kryeqytetasit të cilët kanë apartamentet e tyre brenda Unazës, taksën e ndërtesës e kanë 4-fish më të lartë. Kurse për taksat kombëtare, për herë të parë të gjithë përdoruesit e automjeteve nga 1 janari i vitit 2009, do të paguajnë taksën vjetore të qarkullimit dhe regjistrimit të automjetit, taksën e peshkimit dhe 10 për qind më të lartë rentën minerare dhe taksën e importit të automjeteve të përdorura më shumë ose më pak se 10 vjet. Rritja e taksave vendore do të pasojë me 2-fishim të taksës për tokën bujqësore, 4-fishimi i taksës së apartamenteve dhe rritje të taksës së ndikimit në infrastrukturë me 6 për qind për Tiranën. Ndryshimet e taksave vendore janë kundërshtuar nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, sipas të cilit, rritja e taksës së banesës për ato të ndërtuara pas vitit 1991 rritet me 300 për qind, kurse taksa për ndërtesat brenda Unazës rritet 430 për qind. Sakaq, sipas ministrit të Ekonomisë, taksa e ndërtesave që përdoren për tregti dhe shërbime rritet 200 për qind, një rritje e konsiderueshme për biznesin. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, duke iu drejtuar ministrit të Financave, Ridvan Bodes, është shprehur se rritja e nivelit të taksave vendore është mjaft e madhe, dhe e gjitha kjo do të ndikojë negativisht në drejtim të biznesit dhe investimeve. Po ashtu, ministri i Ekonomisë ka kundërshtuar edhe rritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, ku sipas Rulit, rritja e saj do të ndikojë negativisht në ndërtim dhe rritjen e çmimeve të banesave. Gjithashtu, kundërshtimet e ministrit të Ekonomisë janë shfaqur edhe në përcaktimin e rentës minerare, ku sipas tij, ajo është e gabuar, në një kohë kur ende nuk ka përfunduar ligji i ri minerar.
Rritja e taksës së apartamenteve
Tashmë, në sistemin e taksave vendore do të shtohen dy taksa të reja: taksa e truallit urban, e cila përfshihet në konceptin e taksës së pasurisë së paluajtshme, dhe taksa për ushtrimin e veprimtarisë së peshkimit. Ndryshimet në taksat vendore sjellin rritjen e niveleve të taksës (duke i rritur) mbi ndërtesat dhe taksës bujqësore, si dhe prezantohet niveli i ri taksës së truallit urban. Taksa e pasurisë në Shqipëri është trajtuar në lek për m2, duke përgjithësuar të gjithë taksapaguesit me të vetmin përjashtim për ndërtesat e banimit, vitin e prodhimit të tyre dhe diferencimin e aktiviteteve tregtare që ushtrohen në pasuritë e taksueshme. Në nivelet e reja të propozuara të taksës mbi ndërtesën, është hequr ndarja e tatimit të ndërtesave sipas vitit të ndërtimit. “Për shkak të vështirësive në zbatimin praktik të ligjit me ndarjen e ndërtesave sipas vitit të ndërtimit, para dhe pas vitit 1993, ky projekt parashikon një mënyrë tjetër të përcaktimit të taksës së ndërtesës dhe konkretisht jo më ndarjen ekzistuese “para vitit 1993” dhe “pas vitit 1993”, por me sipërfaqe në m2 të ndërtesës. Kjo mënyrë siguron që, me kalimin e viteve, të mos jetë më e nevojshme të ndryshohet viti në ligj, por të jetë një mënyrë llogaritjeje lehtësisht e përdorshme dhe që shmang abuzimet në praktikë lidhur me kohën e ndërtimit”, shpjegon në projektligjin e saj ministri i Financave.
Dyfishohet taksa e tokës bujqësore
Po ashtu, projektligji i Ministrisë së Financave sjell nivelet e reja treguese të taksës mbi tokën bujqësore. Këto nivele janë rritur duke u dyfishuar, për shkak të nivelit të ulët aktual të kësaj takse. Ministria e Financave në argumentin e domosdoshmërisë së kësaj rritjeje, thotë se u analizuan të dhënat e nivelit të kësaj takse në disa bashki, si Vlora, Lezha dhe Kuçova, të siguruara nga Shoqata e Bashkisë. Sipas këtyre të dhënave, në Vlorë, pesha e taksës së ndërtesës ndaj vlerës së pasurisë është 0.018 për qind, në Lezhë është 0.02 për qind, ndërsa në Kuçovë është rreth 0.015 për qind. Këto nivele kaq të ulëta tregojnë qartësisht për nivelin shumë të ulët të taksës së ndërtesës.
Rritet 6 për qind në Tiranë taksa e infrastrukturës
Në ligjin ekzistues, niveli i taksës së ndikimit në infrastrukturë shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe është 1 deri në 3 për qind e kësaj vlere për të gjitha bashkitë dhe komunat, me përjashtim për Bashkinë e Tiranës, niveli i së cilës është 2 deri 4 për qind e saj. Në projektligjin e propozuar jepet rritja e nivelit të taksës, përkatësisht në 4 për qind për të gjitha bashkitë dhe komunat, dhe 6 për qind për Bashkinë e Tiranës.
Taksë e re për qarkullimin e automjeteve
Nga 1 janar 2009, të gjithë qytetarët do të paguajnë taksa vjetore e regjistrimit të mjeteve të transportit rrugor, që do të përcaktohet sipas ligjit të taksave kombëtare. Kjo taksë vendore do të bashkohet me taksën (kombëtare) vjetore të qarkullimit të mjeteve në një taksë të vetme: taksa vjetore e regjistrimit dhe qarkullimit të mjeteve, masa dhe mënyra e përcaktimit të së cilës do të jetë e përcaktuar në ligjin e ri për taksat kombëtare. Të ardhurat e kësaj takse do të ndahen midis qeverisjes qendrore dhe lokale, në masat respektive 60 për qind dhe 40 për qind.