E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrin në 100 numri i projektligjeve të miratuara nga Qeveria

Në një periudhë prej nëntë muajsh, Qeveria e Kosovës ka arritur të miratojë një numër rekord të projektligjeve dhe t’i procedojë në Kuvend.

Me 13 projektligjet e miratuara në mbledhjen e sotme, është arritur shifra prej 100 projektligjesh, të cilat kryeministri Hashim Thaçi i ka quajtur edhe ligje të standardeve evropiane.

Thaçi ka kërkuar me këtë rast më shumë përkushtim dhe intensifikim të punës nga ana e Kuvendit për miratimin e këtyre ligjeve.

“Me miratimin e këtyre projektligjeve që sot miratuam, kalohet numri 100 i projektligjeve të cilat Qeveria i ka shqyrtuar dhe miratuar gjatë periudhës 9 mujore Është numër rekord i projektligjeve të miratuara, andaj kërkohet edhe nga Kuvendi përkushtim dhe intensifikim i punëve nga të gjithë në mënyrë që këto ligje të miratohen në Kuvend. Është me rëndësi jo vetëm numri i ligjeve, por edhe standardi evropian i këtyre ligjeve. Pra të gjitha janë në përputhje të plotë me standardet më të larta të Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Në mbledhjen e sotme janë miratuar trembëdhjetë projektligje, duke përfshirë Projektligjin për diasporën, Projektligjin për themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Turizmin dhe Shërbimet Turistike.

Po ashtu. në këtë mbledhje është miratuar edhe Projektligji për teatrot, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për skemën e ndihmës sociale, Projektligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, ai për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për të tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit doganor dhe të akcizave, Projektligji për Fondet Pensionale të Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bibliotekat.

Ndërkohë, në këtë mbledhje, kabineti qeveritar ka miratuar edhe planin e veprimit për partneritet evropian për vitin 2012 dhe propozim-vendimin për themelimin e ndërmarrjes publike qendrore Posta e Kosovës.

Po ashtu, është mbështetur edhe kërkesa për ndarjen nga 20 mijë euro për ndihmë Filipineve dhe Tajlandës pas goditjes nga katastrofat natyrore. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›