Arroganca e pas 23 qershorit
Pothuajse çdo ditë, në shtypin shqiptar, do gjesh nga një titull që ka të bëjë me vendime të qeverisë në ikje të cilat merren në ngutje e sipër. Të tilla janë lejet koncesionare, transformim tokash nga fonde pyjore në zona karriere guri, tjetërsim të ndërtesave publike, ankande skrapi, importim plehrash, etj., etj me të cilat publiku është tashmë i njohur.
Të gjitha sa më sipër (përfshi dhe shumë të tjera) janë kryer pas 23 qershorit, datë në të cilën shqiptarët, masivisht dhe vendosmërisht, ndëshkuan pa asnjë mëdyshje partinë që i qeverisi për tetë vite me radhë. Dhe, i ndëshkuari më i madh qe ish kryetari i PD-së, njëherësh kryeministër në ikje, Sali Berisha.
Ndër faktorët që ndikuan tek vota kundër tij, ishin: modeli i përdorimit të pushtetit për interesa të ngushta personale dhe klanore, mungesa e transparencën në marrjen e vendimeve, babëzia për të shpërdoruar fondet publike, arroganca për tu sjellë me pronën publike si të ishte pronë private, toleranca ndaj krimit dhe korrupsionit (veçanërisht e atij që kapte sferën e lartë shtetërore), e shumë të tjera që tashmë dihen.
Deri më 23 qershor, kjo mënyrë të qeverisuri ishte praktikë pune e qeverisë Berisha. Për atë, ky model, ishte më i miri, më funksionali, pra ai model që shqiptarët e kishin votuar dy herë. Si i tillë, ishte alternativa qeverisëse e kësaj partie edhe për një mandat të tretë.
Por, 23 qershori solli të madh e të vogël të politikës me këmbë në tokë, në realitetin ku jetonin shqiptarët e thjeshtë, në atë realitetin e prekshëm, por që smund të shihej brenda makinave dhe zyrave luksoze të cilat detyroheshin ti linin një herë në katër vjet për tiu gjendur pranë popullit.
Njëra forcë politike humbi dhe tjetra fitoi. E, deri në dorëzimin e pushtetit, është edhe një periudhë tranzitore (e stërgjatur), jo pak, po gati tri muaj.
Gjatë kësaj periudhe, normalisht, forca humbëse duhet të niste përgatitjet për të lënë me inventar gjithçka kish marrë në dorëzim këtu e tetë vjet më parë dhe, gjithçka që kish ndërtuar vetë po për këto vite. Por nuk po ngjet kështu. Në kushtet e panikut se, humbëm dhe sdo kemi më gjë në dorë, vijohet të merren vendime në dëm të pronës publike, të ambientit dhe vetë qytetarëve.
Vendimet e pas 23 qershorit, nuk janë thjesht (ashtu siç dhe duhet të ishin) në dobi të ruajtjes së parametrave të funksionimit të shtetit deri sa të dorëzohet pushteti, por janë vendime të dyshimta me po atë frymë shpërdorimi të pushtetit me të cilat edhe u ndëshkuan më 23 qershor vendim- marrësit.
Tashmë opozita e re do të përfaqësohet nga Partia Demokratike. Por, kjo parti, këtë detyrë që i dha elektorati shqiptar, nuk po e përdor që të kurojë sadopak imazhin e keq të saj. Të paktën, këto tri muaj që i kishin mbetur, të ndërronte modelin e të qeverisurit. Pra, të mos ripërsëriste ato gabime (e deri faje), për të cilat edhe u ndëshkua. Jo, ajo vijon me të njëjtin mentalitet, sikur asgjë ska ndodhur, sikur pas dhjetë ditësh do mblidhet po i njëjti Parlament që ish edhe përpara 23 qershorit dhe do zgjedhë po të njëjtin kryeministër.
Berisha duhet ti kishte shfrytëzuar këto muaj, në mos për punë të mira, të paktën të mos kish bërë dëme të mëtejshme. Por, ai vazhdon të na tregojë, pa surpriza, se nuk është i zoti dhe as ka vullnet që të ndryshojë. Mbetet po ai që ka qenë, dritëshkurtër, abuziv e shpërdorues, deri në frymën e fundit.
P.S. Nëse dikush e vuri në dyshim krahasimin midis zgjedhjeve që sollën ndryshimin në vitin 1992 dhe atyre të vitit 2013, ka rastin ta vërtetojë më së miri, pikërisht në këtë periudhë tranzitore të ndërrimit të pushtetit.
