E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsenal humb në ndeshjen me Porton. Venger akuzon arbitrin

Arsenal humbet 2-1 në Dragao, përballë Portos, në sfidën e parë për 1/16, por anglezët janë tërbuar, pas golit të dytë të portugezëve, të lejuar nga gjyqtari i ndeshjes, Martin Hansson. Tekniku, Arsene Venger ka akuzuar hapur arbitrin për golin e minutës së 51, që vendosi ndeshjen. Cambell ktheu topin tek portieri Fabianski, që e kontrolloi me dorë. Gjyqtari sinjalizoi goditje dënimi, e më pas ia dorëzoi topin Ruben Micael, që e pasoi menjëherë për Falcao, që me portë bosh shënoi.

"Zakonisht portieri e mban topin derisa të gjithë kthehen. Por ai ia dha gjyqtarit e nuk mund të pranohet ky aplikim i rregullit, sepse është e pamundur të mbrohesh. Kështu në një situatë ku nuk ka shanse për gol, arbitri nuk i dha atyre një faull, por një gol. është e vështirë ta kuptosh, por ndoshta unë nuk jam aq inteligjent," ironizoi Venger.

Natyrisht që nuk është dakord me këtë filozofi futbolli, tekniku i Portos, Jesualdo Ferreira, që e ka vlerësuar golin si të rregullt. "Goli ishte i rregullt. 'Profesor' Venger është i inatosur, edhe unë do të isha, por Arsenal fitoi një ndeshje kundër Chelsea në 2004, në minutën e fundit me një gol të tillë. Kjo i ndodh të gjithë trajnerëve. Më ka ndodhur edhe mua dhe në këtë rast nuk e di më kë të nxehesh, me gjyqtarin, apo me lojtarët e tu," përfundoi Ferreira.

Në këto polemika të hapura, ndeshja e kthimit në Emirates do të jetë e gjitha për t’u ndjekur dhe londinezëve i duhet vetëm një gol për t’u kualifikuar, gjë që Venger është i bindur se do tia arrijë.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›