Henry e Anelka kërkojnë bonus

Thierry Henry e Nicolas Anelka, të cilët kanë marrë pjesë në paraqitjen zhgënjyese të përfaqësueses së Francës në kampionatin botëror Afrika e Jugut 2010, janë dy futbollistët e vetëm francezë që nuk dëshirojnë të heqin dorë nga bonuset financiare që lidhen me Kupën e Botës.
Sipas të përditshmes Liberation, në fakt, dy futbollistët nuk e kanë nënshkruar dokumentin që tregon tërheqjen e tyre nga bonuset, edhe pse një gjë të tillë e kishin paralajmëruar kohë më parë.
Vendimi i tyre nuk ka të bëjë me paratë, por me dëshirën që të mos i bëjnë dhuratë Federatës së Futbollit të Francës. Shumat që u takojnë këtyre futbollistëve në këtë rast sillen nga 130 mijë deri në 150 mijë euro, që korrespondon me 15 ditë rrogë. Anelka ishte më i përfoluri i Botërorit zhgënjyes të francezëve, pas përleshjes që kishte me selektorin e atëhershëm Raymond Domenech, me ç’rast ishte dërguar në shtëpi.