Arsenali befason Barcelonën, Roma një dështim total
Të gjithë ishin të fokusuar te Arsenal-Barcelona, mbase duke mbartur edhe një kujtim të bukur nga përballja e dyfishtë mes këtyre ekipeve, dhe nuk janë zhgënjyer aspak. Ndeshja e djeshme ka dhuruar emocione të shumta, e kontrolluar për shumë minuta nga katalanasit, por e rikuperuar në çerekorëshin e fundit nga djemtë e Venger, që përmbysën shifrat. Në “Emirates”, përballja nis e shpejtë dhe është Arsenali, ai që duket se ka në kontroll situatën. Madje, në një moment shkon dhe shumë pranë golit, kur topthi i bukur në zonë i Fabregas gjen saktë Van Persin, që godet, por reagon mirë Valdez që grushton. Pas këtyre minutave, Barcelona del në lojës e saj. Zotëron fushën me pasime të shumta dhe kërkon të befasojë mbrojtjen e kujdesshme të vendësve me pasime të shpejta. Lionel Mesi do të ketë në dorë rastin e artë për të shënuar, por pasi çan mirë murin difensiv, nuk arrin të kalojë portierin e mposhtur dhe topi del jashtë për pak centimetra. Megjithatë, përpjekjet e katalanasve, do të konkretizohen në minutën e 26-të. Pasimi i saktë i Mesit gjen Vijën që hyn në zonë dhe mposht daljen e portierit Shçezni, duke goditur rrafsh me tokën topin që kalon mes këmbëve të gardianit polak dhe që prehet në rrjetë. Duket sikur Barcelona do të thellojë edhe më shifrat, pasi reagimi i Arsenalit nuk bind aspak deri në përfundim të pjesës së parë. Dhe fraksioni i dytë nis nën diktatin e Barçës. Të paktën deri në momentin kur Guardiola vendos të nxjerrë David Vijën për Keita, lëvizje që tregonte qartazi se katalanasit donin të mbronin rezultatin. Venger bën lëvizjet e tij. Del Song për Arshavin dhe Uolkot për Bendtner. Dhe do të vijë barazimi. Një top i Klishis gjen saktë Van Persin, që nga një kënd thuajse 0 do të shfrytëzojë daljen e gabuar të portierit Valdez dhe shënon. 5 minuta më pas është Arshavin që mbyll me sukses kundërsulmin e “topçinjve” duke i dhënë një fitore historike Arsenalit.
Roma vuan, Shakhtar ndëshkon
Në “Olimpico”, Roma ka luajtur aktin e radhës të situatës tërësisht të keqe që po kalon. Ndonëse ka kaluar e para në avantazh, skuadra verdhekuqe është ndëshkuar tre herë brenda pjesës së parë nga ukrainasit. Goli i Menez në pjesën e dytë vetëm sa mban gjallë një shpresë të vakët.