E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu një hap larg skualifikimit, Tirana e Dinamo mbajnë gjallë shpresën

Janë luajtur dje katër takimet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ku janë arritur rezultate të ngushta, sidomos në Grupin B, që është bërë edhe grupi më emocionues. Kjo pasi si Dinamo e Tirana, dy kryeqytetaset që në rast kualifikimi do të ndeshen me njëra-tjetrën në gjysmëfinale, kanë arritur të shënojnë golin e shpresës në transfertat respektive. Shkumbini ka fituar me përmbysje ndaj Dinamos hallemadhe në këtë fazë të sezonit, por bluve goli i Allmuçës mund t’u rezultojë më shumë sesa shpresëdhënës. Në fakt, ka qenë mesfushori i bluve ai që ka realizuar golin e parë të takimit, por më pas ekipi peqinas ka mundur ta kthejë rezultatin në favor, teksa Dervishi në minutën e 36-të dhe i zakonshmi Grboviç. Por, ndonëse kanë fituar, peqinasit e kanë mjaft të vështirë në kryeqytet, ku bluve mund t’u mjaftojë vetëm një gol për të arritur në gjysmëfinale. Të njëjtin rezultat ka koleksionuar edhe Bylisi me Tiranën. Ballshiotët kanë kaluar të parët në avantazh, kur Abazaj, ish-sulmuesi i Tiranës, ka arritur të shënojë golin e parë të sfidës në të 11-ën. Bardheblutë vihen në kërkim të golit të barazimit dhe ia dalin mbanë shumë vonë, në minutën e 65-të me anë të Sabien Lilajt, goli i të cilit mund të ndikojë jo pak në ndeshjen e dytë. Megjithatë, në skenë futet edhe kryesori i ndeshjes, që ka akorduar një penallti të dyshimtë në favor të vendësve në minutën e 75-të. Portieri Lika ndërhyn për top në një dyluftim me Dimon, dhe duket se ka ndërhyrë saktësisht, por për gjyqtarin është 11-metërsh, të cilin e ekzekuton saktësisht vetë Dimo.

Në Grupin A, Vllaznia ka vuajtur, por ka mundur të marrë një fitore me rezultat të pastër 2-0, çka do të thotë shumë për kualifikimin e mëtejshëm të shkodranëve. Pjesa e parë është mbyllur në barazim 0-0, ndërsa në të dytën është Shtubina e Sukaj që shfrytëzojnë më së miri krosimet e nigerianit Abraham për të tundur rrjetën e kurbinasve. Në Korçë Besa ka befasuar të zotët e shtëpisë, duke fituar me rezultatin 1-3. Kavajasit kanë shfrytëzuar ndoshta aspektin psikologjik të rënduar të bardhekuqve, që janë të spostuar mendërisht për sfidën kundër Flamurtarit. Sidoqoftë, kjo humbje është një dështim për Skënderbeun, që Kupën e kishte një objektiv real.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›