E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsenali e Barça, barazim në ndeshjen e spektaklit

LONDER-Ka përfunduar në barazim 2-2 supersfida e çerekfinaleve të Champions League mes Arsenalit dhe Barcelonës, luajtur mbrëmë në "Emirates Stadium" të Londrës. Në një superndeshje që dhuroi emocione përgjatë 90 minutave, dy ekipet që bëjnë padyshim futbollin më të bukur në Evropë, nuk kanë zhgënjyer pritshmëritë. Rezultati i marrë mbrëmë në Londër i shkon shumë për shtat Barcelonës, së cilës i mjafton vetëm një barazim në ndeshjen e kthimit. E megjithatë, përballë një skuadre që sulmon papushim, është e qartë se kampionët e Evropës në fuqi nuk do ta kenë një shëtitje të martën e ardhshme. Përsa i përket ndeshjes, ajo nisi mjaft mirë për Barçën, me një rast të artë të Ksavit, por që Almunia arriti ta neutralizojë. Për Arsenalin, rastin më të mirë në këtë fraksion e pati Samir Nasri, por parabola e tij përfundoi ngjitur me shtyllën. Në fraksionin e dytë, Barça gjeti menjëherë golin me një parabël të Ibrahimoviç, që përfitoi edhe nga dalja e gabuar e Almunias. 13 minuta më pas, suedezi realizoi edhe golin e dytë me një të djathtë potente në zonë. U mendua se ndeshja mbaroi, por Teo Ulkot shkurtoi diferencën në minutën e 69-të, pas pasimit të Niklas Bendtner. 5 minuta para përfundimit, Fabregas barazoi shifrat, duke goditur saktë nga pika e penalltisë. Barça ndërkohë mbeti me 10 vetë pas kartonit të kuq të Pujol. Në 5 minutat e mbetura, katalanasit administruan mjaft mirë barazimin, që i favorizon për takimin e kthimit.
Inter-CSKA
Interi ka fituar 1-0 ndaj CSKA Moskës në takimin e parë çerekfinal të luajtur në "San Siro". Zikaltërit e kanë dominuar gjithë sfidën, por kanë mundur të zhbllokohen vetëm në minutën e 65-të me anë të të zakonshmit Diego Milito, që goditi saktë nga kufijtë e zonës. Rezultati do të kishte qenë më i thellë nëse nuk do të ishte për naivitetin para portës të skuadrës zikaltër apo për formën e shkëlqyer të portierit Igor Akinfev. Sidomos pas golit të shënuar, Interi pati 3-4 raste të mira. Në fillim Pandev shmangu edhe portierin, por topi u ndalua në vijën fatale nga mbrojtja. Më pas ishte Shnajder që doli vetëm me Akinfev, por goditja e tij ishte e pasaktë. Nga një goditje këndi, Interi godet dy herë rresht, por në të dy rastet portieri i kombëtares ruse tregohet i pakalueshëm, duke mos lejuar zikaltërit e Murinjos të thellojnë diferencën. Rezultati i mbrëmshëm lë gjithçka të hapur për takimin e kthimit në Moskë pas një jave, megjithatë Interi është dukshëm i favorizuar. Përballë është një skuadër modeste dhe që pak a shumë e ka përmbushur misionin e saj tashmë. Fakti që italianët nuk pësuan gol është një plus i madh në takime të tilla.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›