E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arshavin, i interesuar vetëm për katër "big"-ët e Premiershipit

Menaxheri i Andrei Arshavin këmbëngul se brenda një kohe të shkurtër për klientin e tij do të realizohet "një transferim shumë i madh". Denis Laçter konfirmoi se klienti i tij po shqyrton vetëm mundësitë për të luajtur me një nga klubet anglezë që aktualisht luajnë edhe në Ligën e Kampioneve. Totenhemi i drejtuar nga Huande Ramos ishte fare pranë blerjes së yllit të Zenitit gjatë verës, ndërkohë që nuk munguan zërat që spekulonin se transferimi do të finalizohet në merkaton e janarit. Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me kampionët e Rusisë në Kupën UEFA dhe më pas me kombëtaren në Euro 2008, Arshavin tentoi të kalonte te Barcelona (skuadra me të cilën ka qenë tifoz që në vegjëli). E ardhmja e 27-vjeçarit është e lidhur edhe me Realin e Madridit, ku spekulimet janë intensifikuar pas shitjes së Robinjos te Mançester Siti. Duket se mesfushori nuk do të ndjekë shembullin "Robinjo" dhe nuk do të pretendojë shitjen te klubi që ofron më shumë para, por synon aktivizimin për një emër të madh. Menaxheri i tij konfirmoi se lojtari do të marrë parasysh vetëm ofertat nga katër skuadrat më të mira të Premiershipit: Mançester Junajted, Çelsi, Arsenal dhe Liverpul. Duke folur për "Daily Telegraph", Laçter tha: "Andreit i pëlqen të luajë në Angli, por ai nuk do të pranojë oferta nga klube si Njukasëlli, Midëllsbrou apo Aston Vila. Në Premiership ekzistojnë vetëm katër skuadra ku ai mund të luajë dhe të gjitha këto marrin pjesë në Ligën e Kampioneve. Nuk është çështje parash, por çështje klubi dhe ambiciesh". Bisedimet me disa skuadra po vazhdojnë dhe menaxheri i Arshavin konfirmoi se Zenit St. Petersburg nuk do të marrë në konsideratë asnjë ofertë që është më e ulët se 30 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›